Dritan Dajti i shpëtoi burgimit përjetë, Meta: KLGJ dhe Prokuroria të vihen në lëvizje

0
14

Presidenti Ilir Meta, ka kërkuar hetim lidhur me uljen e dënimit nga burgim i përjetshëm në 25 vite burg, për të akuzuarin për vrasjen e katër policëve, Dritan Dajti.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Prokuroria e Përgjithshme, duhet të vihen në lëvizje për të hetuar çështjen në fjalë”, u shpreh Meta ditën e sotme, teksa u pyet nga gazetarët.

Sakaq ditën e djeshme, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe ai i Brendshëm, Sandër Lleshaj, paralajmëruan ndëshkime për gjyqtarët që dhanë vendimin.

Vendimi për heqjen e dënimit me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin u dha këtë të premte, nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda.

Më 23 korrik 2014, Dritan Dajti u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për ekzekutimin e oficerëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani në gusht të vitit 2009.