Një protestë është mbajtur pasditen e djeshme në qytetin e Himarës ku disa qytetarë kanë kërkuar lirimin nga qelia të Fredi Belerit, i cili fitoi zgjedhjet e 14 majit, por mbahet në burg nën akuzën e shit-blerjes së votave.
Gjatë tubimit ka folur edhe kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, i cili ka deklaruar se ka një indinjatë të thellë mes protestuesve dhe mbështetësve të Belerit, pasi sipas tij po shkelen të drejtat themelore të njeriut.
Ai shtoi se burgosja e Belerit është nje veprim regjimi, duke e krahasuar atë me burgosjen e Alexei Navalnyt në Rusi nga Vladimir Putin.
Sakaq, Dule i është drejtuar kryeministrit Rama duke thënë se ai “nuk di me kë është ngatërruar” dhe se çdo moment që zgjatet burgosja e Belerit, po kaq zvogëlohet qëndrimi i kryeministrit në pushtet.
Të dashur himariotë, më lejoni të falënderoj kolegët e mi të parlamentit grek që ndodhen këtu mes nesh. Të gjithë do donim që situata të ishte ndryshe. Festa do ishte shumë e madhe, por kemi një protestë të madhe në vend të kësaj. Kemi indinjatë të thellë, sepse po shkelen të drejtat themelore.
“Është metoda e sistemeve totalitare të mos funksionojnë ndryshe, të burgosin. Ashtu si në sistemet e tjera totalitare ka të burgosur, Edi Rama mban Fredin tonë. Ai donte dinjitetin e qytetarëve të tij dhe e burgosën. Ky është motivi i regjimeve që nuk funksionojnë dot pa të burgosur politikë. Putini mban të burgosur Navalnyn, ndërsa Rama mban Fredin tonë.
I drejtohem sërish kryeministrit të vendit, dëshiroj që sërish t’i kujtoj se çdo moment që zgjatet burgosja e tij, po kaq zvogëlohet qëndrimi i tij në pushtet. Edi Rama nuk e di më kë është ngatërruar”, u shpreh ai.