Edi i futbollit dhe Edi i qeverisë. Njëri po ikën, tjetri nuk shkulet!

0
41
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Boldnews.al

Të dy drejtojnë… Njëri ekipin kombëtar të Futbollit dhe tjetri shtetin. Për të parin e dinë të gjithë se është ca në moshë, që i ka humbur disi nuhatja për të seleksionuar futbollistët e duhur dhe gjatë një ndeshje nuk bën zëvendësimet e nevojshme, duke mbajtur të paprekur “ekipin që do”. Ky është Edi Reja që pak mban përgjegjësinë mbi veten, duke e shpërndarë ku të mundet, herë medias, herë mungesës së fatit e herë futbolllistëve të rinj. Po këtij Edit po i soset koha dhe me shumë mundësi vitin nuk do e mbyllë si “kryetimonier” i Kombëtares së Futbollit.

Mbi të sulemi sepse nuk na dha kënaqësinë në fitimin e ndeshjeve, për të brohoritur dhe u kënaqur paksa për të harruar qoftë edhe për pak kohë hallet që mbajmë çdo çast. Ndërsa me Edin tjetër, që kemi dhjetë vite që e mbajmë, me gjasa po e çojmë në një moshë me timonierin e kombëtares duke “mbretëruar” gjatë në këtë sistem që vetëm emrin ka Republikë Parlamentare. Ngjashmëritë janë të mëdha. Reja kurrë nuk e mban përgjegjësinë mbi veten, por shpesh thotë se duhet të shohim përpara dhe se fati nuk na deshi në disa raste.

Edhe ai Edi i Madh i qeverisë justifikimin e ka majë gjuhës e cila helmon pa kafshuar nën mbretërinë propagandistike. “Na ra tërmeti”, “na zu pandemia”, “shpërtheu lufta”, “na kapi kriza energjitike”, “na sulmojnë hakerat”… Kurrë nuk mban barrën që i takon, duke e shpërndarë atë me varfërinë, pasigurinë dhe largimin masiv të të rinjve, por ndryshe nga Edi i futbollit që përmend edhe fatin e keq ndonjëherë, Edi i qeverisë e gjen të keqen vetëm tek të tjerët. Media e ka fajin, populli që ankohet, opozita që “qeveris keq”, antikombëtarët që hedhin baltë mbi qeverinë e pastër.

Mbijnë pallatet dhe kullat pa leje në mes të Tiranës, por ai vetë nuk ka përgjegjësi. Burgjet mbushen me hallexhi që kanë ndërruar tjergullat e çatisë, por oligarkia e oborrit të tij që pritet ti dhurojë edhe “kopshtin e Edenit” nuk ka faj, përkundrazi ajo mund të gjobitet pak me marreveshje, por burgu larg qoftë.

Dhe të dy Edët, ai që e la futbollin në fund dhe tjetri që e fundosi vendin në varfëri duke e zhytur në fundin e një pusi të thellë, gjatësia e së cilit shkon sa aksi i gjatë Tiranë-Beograd, justifikimin e kanë hazër. Por ndryshe do jetë fati i dy Edëve. Ky i futbollit mund të largohet, ndërsa tjetri do presë dimrin i qetë pavarësisht faturave që do brejnë më shumë se xhepatshpirtin e çdo qytetari.

E sigurt është se përrallat e dimrit do tregohen nga Edi i qeverisë për të kërcënuar dhe shperndarë tallavanë propagandistike me shpresën se në këtë valle do përfshihen edhe me barkun e boshatisur dhe mendjen e turbulluar nga kriza e madhe ekonomike që nuk erdhi nga fati i keq, por nga aftësia e një kaste politike në pushtet për të masakruar buxhetin e shtetit me afera korruptive. Sa për justifikim për paafatësinë e njërit Ed dhe aftësinë e tjetrit për të bërë keq, do kemi koha të gjatë përpara me kondicionerin fikur, frigoriferin e boshatisur, por me televizorin gjithnjë të ndezur në bombardimin e përditshëm të propagandës. Njëri po ikën, tjetri nuk shkulet!

Zjarr Tv Ad