3 persona janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Beratit, pas bllokimit së 8 tonë domateve të eksportuara nga Shqipëria, të cilat dyshohet të ishin të kontaminura, me nivele të larta pesticidesh.
Bëhet fjalë për Mariglen Qorri, pronar i subjektit “Era fruit”, i cili dyshohet se ka tregtuar domatet e kontaminuara për tregun evropian, si dhe dy inspektorë të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit në Berat, Ronaldo Lika dhe Griselda Doksani, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Sipas akuzës, shtetasi Mariglen Qorri, pronar i subjektit eksportues të domateve, kishte prodhuar dhe më pas kishte eksportuar drejt shtetit Kroat, 8 tonë domate të cilat pas analizave të kryera kishin rezultuar me përbërje të lartë të preparatit “Chlorefenapyr”, dhe ishin asgjësuar nga autoritetet kroate.
“Sasia pas analizave rezultoi me nivel të perparatit “Chlorfenapyr” mbi normat e lejuara, 0.06 mg/kg nga 0.01 mg/kg që duhet të jetë”
Gjithashtu, për të shmangur përgjegjësisë ligjore ky shtetas ka përdorur fatura fiktive blerjeje nga fermerë të tjerë.
Ndërsa dy inspektorët e AKU Berat, pasi kanë kryer kontrolle në këtë subjekt dhe praktikat e mbajtura kanë rezultuar të plotësuara në mënyrë fiktive, duke mos bërë marrjen e mostrave të domateve që ndodheshin në magazinë dhe bllokimin e tyre, si dhe kanë marrë si të rregullta faturat fiktive të blerjeve nga shtetasi Mariglen Qorri, duke tjetërsuar në këtë mënyrë faktet në lidhje me produktet e konstatuara me nivele të larta preparati.
Nga kontrolli i ushtruar në magazinën e shtetasit Mariglen Qorrit, u sekustruan perime të ndryshme dhe u morën mostra për analiza, pasi dyshohet se mund të jenë me përbërje të lartë preparatesh.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.
Këto kimikate të fuqishme, në rast përdorimi pa kriter, e vënë shëndetin tonë në rrezik të madh. Duke konsumuar këto fruta dhe perime, trupi duhet të absorbojë substanca toksike dhe pesticide.
Pas studimeve të panumërta, pesticidet kanë qenë të lidhura me kancerin, sëmundjen Alzheimer, ADHD, dhe madje edhe defektet e lindjes. Pesticidet gjithashtu kanë potencial për të dëmtuar sistemin nervor, sistemin riprodhues, dhe sistemin endokrin. Pesticidet mund të jenë shumë të dëmshme edhe për fetusin, sepse kimikatet mund të kalojnë nga nëna gjatë shtatzënisë.
PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM BERAT
Eksportoi 8 tonë domate me nivel të lartë “Chlorfenapyr” në Kroaci, Prokuroria Berat procedon pronarin e subjektit dhe dy inspektorë të AKU-së për 4 vepra penale
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, kërkoi ndalimin e tre shtetasve M.Q., R.L. dhe G.D., mes të cilëve dy inspektorë për sigurinë ushqimore për veprën penale ‘Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve’, ‘Mashtrimi me produktet ushqimore’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’ si dhe për ‘shpërdorim detyre’, parashikuar nga nenet 288, 288/c, 186 dhe 248 të Kodit Penal.
Pas veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat në bashkëpunim me seksionin kundër Krimit Ekonomik e Financiar dhe forcat operacionale të policisë, rezultoi se autoritetet Kroate konstatuan dhe më pas asgjesuan një sasi prej rreth 8 tonë domate e eksportuar nga subjekti “Era-Fruit”, me administrator shtetasin M. Q., sasi kjo që pas analizave rezultoi me nivel të perparatit “Chlorfenapyr” mbi normat e lejuara, 0.06 mg/kg nga 0.01 mg/kg që duhet të jetë.
Në lidhje me këtë sasi, rezultoi se shtetasi M. Q. ka prerë një faturë blerje fiktive nga një fermer dhe e ka përdorur për praktikat doganore dhe raportin e gjurmueshmërisë të mbajtur nga AKU Berat, duke u munduar të shmangë përgjegjësinë e tij ligjore për produktin që ka prodhuar dhe tregtuar.
Nga veprimet hetimore rezultoi se kjo sasi domate e rrezikshme për shëndetin e njerëzve është prodhuar dhe më pas eksportuar nga vetë shtetasi M.Q. Ky shtetas është nën akuzëpër veprat penale ‘Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve’, ‘Mashtrimi me produktet ushqimore’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore rezultoi se inspektorët e AKU-së Berat, shtetasit R.L. dhe G.D., pas njoftimit nga sistemi Rasff,kryen inspektim më datë 29.08.2025 në subjektin “Era Fruit” dhe nuk konstatuan sasinëe domatevetë ndodhur në magazinën e subjektit, duke plotësuar praktikën sikur aty nuk gjendej asnjë sasi domateje, duke mos bërëkështu edhe bllokimin dhe marrjen e mostrave për kryerjen e analizave për këtë produkt.
Këta inspektorë, kanë marrë të mireqenë si të rregullt faturën fiktive të prerë nga shtetasi M.Q., të pa firmosur nga fermeri/shitësi duke mbajtur mbi bazën e tij raportin e gjurmshmërisë së produktit dhe duke tjetërsuar faktet në lidhje me origjinën e produktit të konstatuar me probleme.
Nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat u sekuestruan dhe morën mostra për analiza të produkteve të ndryshme si domate, speca dhe kastraveca të konstatuara në subjektin “Era Fruit”, produkte këto të dyshuara të kontaminuara.




