Mediat amerikane po raportojnë vrasjen e të birit të Osama Bin Laden, Hamzait, nga sulme ajrore. Deri tani nuk ka një njoftim zyrtar dhe mediat citojnë një zyrtar anonim të zbulimit. Në muajin shkurt qeveria amerikane ofroi 1 milion dollarë shpërblim për informacione në lidhje me vendndodhjen e Hamza Bin Laden.
Hamza Bin Laden, i biri i themeluesit të al-Qaeda-s Osama Bin Laden, raportohet se ka vdekur pas një sulmi ajror amerikan.
Lajmi është konfirmuar për mediat amerikane nga zyrtarë të zbulimit, ndërsa mbetet i paqartë vendi dhe koha e sulmit. Deri tani Pentagoni nuk ka komentuar mbi lajmin.
Bin Laden i riu, rreth 30-vjeç, ka shpërndarë më herët mesazhe audio nëpërmjet të cilave ka bërë thirrje për sulme ndaj Shteteve të Bashkuara.
Në muajin shkurt qeveria amerikane ofroi 1 milion dollarë shpërblim për informacione në lidhje me vendndodhjen e tij.
Vdekja e tij u raportua gjerësisht nga mediat amerikane, duke përfshirë rrjetin NBC News, gazetën New York Times dhe tv CNN. Që të gjitha kanë cituar një zyrtar të zbulimit, por pa e përmendur me emër.
Deri tani nuk ka një konfirmim nga al-Qaeda.
Edhe presidenti, Donald Trump, refuzoi të komentojë ndërsa u pyet nga gazetarët e po kështu edhe këshilltari i sigurisë kombëtare John Bolton.
Hamza Bin Laden u ka bërë thirrje xhihadistëve të marrin hak për vrasjen e babait të tij nga forcat speciale amerikane në Pakistan, në maj të vitit 2011.




