Presidenti amerikan Donald Trump udhëzoi ambasadorin e tij në BE që t’i kërkojë favore politike Ukrainës në këmbim të ndihmave ushtarake dhe vizitës në Shtëpinë e Bardhë. Deklarata e fortë është bërë nga vetë diplomati gjatë seancës hetimore për shkarkimin e Trump.
Një diplomat amerikan ka rënduar pozitat e presidentit Donald Trump në hetimet për skandalin e Ukrainës dhe akuzat për abuzim me pushtetin.
Ambasadori i SHBA-së në Bashkimin Europian, Gordon Sondlend, i tha komisionit që po heton shkarkimin e presidentit se ishte udhëzuar nga avokati personal i tij për të ushtruar presion politik për hetimin e rivalit demokrat Xho Bajdën.
“Presidenti i Shteteve të Bashkuara më udhëzoi drejtpërdrejt që të punoja me Rudi Xhulianin për çështjet e Ukrainës. Kërkesa e tij ishte që në këmbim të nisjes së hetimeve për zgjedhjet e vitit 2016 dhe në kompaninë ku punonte djali i Bajdënit, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski do të ftohej për vizitë në Shtëpinë e Bardhë,” deklaroi diplomati Sondlend.
Sipas këndvështrimit të tij, deklaroi Sondlend, presidenti e kishte udhëzuar t’i kërkonte favor politik një shteti tjetër, gjë që dënohet nga ligji amerikan.
Por Trump u përgjigj jashtë Shtëpisë së Bardhë, ndërkohë që mbahej seanca, se shprehja e këndvështrimeve personale është fundi logjik i procesit hetimor kundër tij.
Ai lexoi një shkëmbim telefonik me ambasadorin Sondlend nga muaji shtator.
“Ai më pyet ‘Çfarë kërkon nga Ukraina. Dëgjoj disa ide dhe teori. Çfarë të duhet?’ Dhe unë i përgjigjem ‘Nuk dua asgjë nga Ukraina. Nuk dua më jep, të jap. Thuaji presidentit Zelenski të bëjë gjënë e duhur’. Kjo është e gjitha,” deklaroi Trump.
Seancat pyetësore televizive për çështjen e Ukrainës do të vazhdojnë të enjten me zyrtarë të shtetit dhe ish-ekspertë të Shtëpisë së Bardhë.




