Kuvendi kaloi dje (5 mars) me 89 vota pro paketa anti KÇK, plot 34 ditë pasi u miratua në Këshillin e Ministrave.
Për aktin normativ nr. 1, datë 31.01.2020 “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike” 17 votuan kundër dhe 3 abstenim ndërsa 9 deputetë socialist munguan në votim, informoi gazetarja e Ora News, Fjorela Beleshi
Deputetët që munguan në votim
Erion Braçe
Fatmir Xhafaj
Bashkim Fino
Senida Mesi
Roland Xhelili
Jurgis Çyrbja
Musa Ulqini
Lindita Nikolla
Robert Bitri
Rama: Kunder horrave me kostum
Kryeministri Rama në fjalën e tij në mbrojtje të këtij akti normativ dhe se për tre dekada krimi u mbrojt nga horrat me kostum
Edi Rama: “Unë nuk jam dhe e them shumë sinqerisht, aspak i befasuar nga e gjithë përkrahja e befasishme që ka gjetur as më shumë e as më pak, por elita e krimit të organizuar, sapo ne e kemi shpallur betejën më të skajshme kundër kësaj mortjeje që e ka tollovitur Shqipërinë tre dekada me radhë, që e ka tollovitur jetën publike tre dekada me radhë dhe që falë edhe të gjithë horrave e hipokritëve me kostum, që kanë pasur dhe një mikrofon në dorë e ka bërë horr Shqipërinë, edhe në sytë e shumë njerëzve që shqiptarë nuk janë, por që e ndjekin vendin tonë, apo që shkruajnë e broçkullisin e hedhin helm me kënaqësinë më të madhe për vendin tonë.
Si ka mundësi që pikërisht kur shfaqet më e qartë, më e thellë dhe më e fortë se asnjëherë në tre dekada, vija e kuqe mes shtetit dhe krimit të organizuar, ngrihet një koalicion kaq i larmishëm mes segmentesh dhe protagonistësh që vijnë nga gjitha rrugët e jetës publike, nga mediat, tek i ashtuquajturi President i Republikës, nga opozitat këtu pak çaste para meje dhe atje në rrugë, deri te Avokati i Popullit, për t’iu qarë hallin këtyre “të shkretëve” që kanë vrarë, kanë përdhunuar, kanë trafikuar çfarë kanë mundur, kanë grabitur pronat sa kanë mundur, kanë shantazhuar sa nuk merret as me mend njerëzit e zakonshëm dhe sipërmarrësit e këtij vendi dhe që me demek tani po dhunohen në të drejtat e tyre njerëzore?”
Me ligjin policia merr të drejtën e përgjimit deri në 6 muaj edhe pa firmën e prokurorit. Ndërsa pronat e sekuestruara mund të shiten edhe pa vendimin e sekuestrimit të gjykatës. Në prag të votimit, në përgjigje të deputetëve të mazhorancës Lleshaj theksoi se Ministria e Brendshme nuk kthehet në ministri të sigurimit.
“Ministria e Brendshme nuk është thjesht Ministri e Sigurisë, ka portofol më të gjerë” u shpreh ministri i Brendshem ne Kuvend.
Ligjet e tjera
Kuvendi votoi dhe këto pr/ligje
-Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 34/2019, “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara” u miratua me 85 vota pro, 13 kundër dhe 4 abstenim.
-Projektligji “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, u miratua me 94 vota pro, 4 kundër dhe 8 abstenim.
-Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 71/2016 “Për kontrollin kufitar u miratua me 92 vota pro, 5 kundër dhe 2 abstenim.
-Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 89/2014, “Për pajisjet mjekësore”. u miratua me 96 vota pro, 3 kundër dhe 3 abstenim.




