Berisha u kallëzua për lajme të rreme, reagon PD: Qeveria dështoi, s`mund fusë të vërtetën në “karantinë”

0
122

Partia Demokratike reagoi në lidhje me kallëzimin penal që deputetët socialistë bën ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha, me pretendimin se ai ka përhapur lajme të rreme. PD thotë se “Edi Rama nuk mund ta fusë dot në karantinë të vërtetën dhe opozitën. Nuk ka kallëzim apo padi që mund të ndalë Partinë Demokratike të ngrejë zërin për sigurinë e qytetarëve”. Partia Demokratike shprehet, më tej, se Edi Rama po dështon, sa sa ky dështim po rrezikon jetë. “Këtë herë dështimi i Edi Ramës rrezikon jetë, kështu që asnjë padi, kërcënim apo shantazh nuk do të na largojë ne nga misioni për të thënë të vërtetën”, thuhet në deklartën e Partisë Demokratike.

Më tej, PD argumenton se të dyja rastet e denoncuara nga Selia Blu, kanë qenë flagrante dhe të vërteta. “Vetëm ditët e fundit janë dy raste flagrante të denoncuara nga opozita dhe që, për fat të keq rezultuan të vërteta. Është denoncimi i ish kryeministrit Sali Berisha për të moshuarën nga Durrësi që ndërroi jetë, e infektuar me koronavirus, por pa u trajtuar sipas protokollit. Është denoncimi i Partisë Demokratike për shpërndarjen nga qeveria të 1.2 milionë maskave të skaduara për personelin shëndetësor”, shkruan PD.

Më tej, Partia Demokratike rreshton dhe 6 pika, që sipas saj tregojnë se qeveria ka dështuar për marrjen e masave për mbrojtjen nga Koronavirusi:  “E vërteta është se qeveria nuk mori në kohë asnjë masë parandaluese ndaj përhapjes së virusit të rrezikshëm. E vërteta është se qeveria, edhe sot që flasim nuk ka tërhequr sasinë e maskave të skaduara të shpërndara për personelin mjekësor.  E vërteta është se qeveria nuk ka vënë në dispozicion fondet e nevojshme për përballimin e situtës.  Qeveria vonoi me dy javë vendimmarrjen për të mbyllur aktivitetin në ambiente që ka prezencë shumë të madhe të njerëzve. Qeveria nuk ka marrë asnjë masë për të lehtësuar nga taksat, tarifat dhe sigurimet shoqërore/shëndetësore. Qeveria nuk ka marrë masa për të mundësuar funksionimin normal të linjës së urgjencës 127, e cila ka vështirësi për aksesim për shkak të fluksit”, thuhet ndër të tjerën në deklaratën e PD.

Zjarr Tv Ad