Adela Hysenaj nuk është një emër i panjohur, pasi Zjarr Televizion herë pas here ka zbuluar abuzimet e ndryshme që kanë ndodhur në Bashkinë e Fierit në periushën kur ajo ishte ‘krahu i djathtë’ i kryetarit Armando Subashi.
Këtu përmendin skandalin e shatërvanëve në qytetin e Fierit, të cilët kishin 7 vite që ishin jashtë funksionit dhe pas denoncimeve dhe publikimeve të lajmit, filluan të funksiononin.
Po ashtu kemi trajtuar edhe denoncimin e ardhur lidhur me lyerjen e fasadave në këtë qytet nga Bashkia, ku qyetetarë ishin trajtuar ‘disa të nënës dhe disa të tjerë si të njerkës’, për shkak të bindjeve të tyre politike.
Theksojmë po ashtu se investimet në këtë qytet mungojnë prej më shumë se 2 vitesh.
Largimi i Hysenajt nga bashkia e Fier ka ardhur në muajn nëntor të vitit të kaluar, pas shkarkimit të saj nga pozicioni i nënkryetares nga Subashi. Që atëherë ajo nuk është parë në jetën aktive të politikës.
Dhe sot pas një hetimi disa mujor nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Fier, në bashkëpunim me Policinë Vendore ka vendosur para drejtësisë disa funksionarë aktualë dhe ish-zyrtarëve të Bashkisë Fier, të dyshuar për shpërdorim detyre dhe ndikim të paligjshëm.
Operacioni policor i zhvilluar në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ka vënë në pranga edhe ish-nënkryetares së bashkisë Fier, Adela Hysenaj.
Në njoftimin e shpërndarë nga policia, bëhet me dije se në qendër të hetimeve është një dëm prej rreth 40 milion lekësh ndaj buxhetit të bashkisë për shkak të mosvendosjes së kasës së fiskalizimit në parkimin nëntokësor që administrohet nga Bashkia Fier.
Sipas hetimeve, zyrtarët kanë lejuar që të mos arkëtohen të ardhurat për këtë shërbim, si dhe kanë favorizuar subjekte tregtare përmes uljes së paligjshme të taksave, në këmbim të përfitimeve personale.
Njoftimi i plotë i policisë
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Fier në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, pas një pune hetimore disamujore, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2025, ka finalizuar operacionin policor “Parking”.
Në kuadër të tij u ekzekutuan masat e sigurisë:
– “Arrest në shtëpi” për shtetasen A. H., 34 vjeçe, banuese në Fier, ish-Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës së Bashkisë Fier dhe ish-Zëvëndës Kryetare e Bashkisë Fier, për veprat penale “Shperdorimi i detyrës” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike;
– “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për shtetasin V. C., 41 vjeç, banues në Fier, Drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për shtetasen A. C., 38 vjeçe, banuese në Fier, Drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për shtetasin M. D, 57 vjeç, banues në Fier, sekretar i Përgjthshëm i Bashkisë Fier, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Këta shtetas, duke mos vepruar sipas kuadrit ligjor për vendosjen e kasës së fiskalizimit për parkimin nëntokësor që administron Bashkia Fier, nuk kanë arkëtuar shumën prej rreth 40 milion lekë në arkat e Bashkisë Fier.
Gjithashtu, këta shtetas, nëpërmjet shpërdorimit të detyrës, kanë ulur taksat e subjekteve të ndryshme tregëtare në Fier, kundrejtë përfitimit.
Materialet i kaluan Prokurorisë Fier, për veprime të mëtejshme.




