13 akuza për vepra të rënda penale/ Gjyqi i Veliajt, në duart e avokatëve

0
60

SPAK-u njoftoi kryebashkiakun Erion Veliaj se është marrë zyrtarisht i pandehur dhe ka 13 akuza për vepra shumë të rënda penale.

Ai rrezikon minimumi nga 7-15 vite heqje lirie. Në fakt, ka pasur disa qëndrime të mbrojtësve të tij ligjorë.

Së pari, u tha se kishte rrjedhur informacioni në media dhe ata ishin vënë në dijeni se Erion Veliajt do t’i komunikohej akuza, vetëm nga mediat. E vërteta qëndron krejt ndryshe.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i thanë CNA-së, se ditën e hënë nga SPAK-u është kërkuar që Erion Veliaj të transportohet nga ambientet ku ndodhet i paraburgosur në SPAK, për t’u njoftuar nga prokurorët e çështjes në lidhje me përfundimin e hetimeve.

Mësohet se Erion Veliaj ka refuzuar.  Kanë qenë hetuesit të cilët më pas janë paraqitur në burgun e Durrësit, duke e njoftuar Veliajn për përfundimin e hetimeve dhe akuzën.

Pra, deri në këtë moment proceduralisht gjithçka është e mbyllur, brenda 6 muajve, sipas afateve që parashikon ligji. Erion Veliajt iu mbyllën hetimet, i janë ngritur 13 akuza, ka dhe dosje të tjera dhe fraksione.

Gjithashtu janë gati rreth 30 persona të tjerë, subjekte, biznesmenë, që janë përfshirë në këtë hetim.

Tani, Erion Veliajn në gjykatë do ta shohim në kohën kur do të vendosin avokatët.

Në fakt, duhet theksuar fakti se SPAK-u i ka mbyllur hetimet dhe pikë. Marrja i pandehur dhe komunikimi i akuzës mbyll hetimet. Nuk ka hetime më tej.

Mund të ketë për dosje dhe çështje të tjera, por për Erion Veliajn dhe 13 akuzat që janë bërë deri tani gjithçka është e mbyllur dhe duhet të shkojë në gjykatë.

Por ligji e parashikon se u jepen 10 ditë kohë avokatëve për të paraqitur kërkesat e tyre dhe më pas në bazë të këtyre kërkesave që ata do të kenë apo që mund të mos i kenë, sipas një afati 30-ditor, varet nga gjithçka që ata kërkojnë, shkohet në gjykatë maksimumi më 24 shtator.

Çështja tashmë varet nga studioja ligjore e bashkëshortes së Arben Rakipit, që e paditi në Gjykatën Administrative Erion Veliajn dhe i shtoi akuzën për shpërdorim detyre.

Pra, Erion Veliaj tani për t’u paraqitur në gjykatë dhe për t’u dëgjuar apo për t’u zhvilluar çështja e tij gjyqësore duhet të presë ç’do të vendosin avokatët. Gjithçka mund të ndodhë që brenda një afati 10-ditor dhe kërkesat mund të jenë shumë të pakta në një kohë shumë më të shpejtë dhe Erion Veliaj të shkojë në gjykim.

Ose në rast se ka shumë kërkesa, dokumente voluminoze, etj. ka një afat 30-ditor dhe më pas kryebashkiaku Veliaj çohet në gjykatë.

Për të gjitha mediat, të cilat raportojnë se janë shtyrë dy muaj hetimet, kjo është një e pavërtetë, një mashtrim. Thjesht dhe vetëm kemi të bëjmë me një afat procedural, kohën që kanë avokatët për të bërë kërkesat dhe në vartësi të kërkesave të tyre është edhe afati 30-ditor për plotësimin e tyre, në bazë të asaj që ata vetë kërkojnë.

Ndaj për të gjithë duhet të jetë e qartë, për lexuesit, për mediat, për gazetarët, se hetimet për Erion Veliajn janë mbyllur.

Mjafton të lexojë dikush, diçka më shumë për të kuptuar se nuk ka një shtyrje të hetimeve për Erion Veliajn, por thjesht dhe vetëm tashmë gjyqi sa më shpejt të fillojë apo sa më vonë e vendosin avokatët e tij mbrojtës në bazë të kërkesave që bëjnë./ CNA

Zjarr Tv Ad