Kreu i Partisë Demokristiane të Shqipërisë, Nard Ndoka shprehu kritika ndaj Partisë Demokratike gjatë tryezës së përbashkët me aleatët, teksa po diskutohej për Reformën Territoriale dhe draftet e PS-së dhe PD-së.
Në fjalën e tij, ai u shpreh se PD u duk sikur ishte në “muaj mjalti” me PS-në gjatë dëgjesave për Territorialen, duke thënë se aleatët opozitarë ishin në “terr informativ” dhe u lanë jashtë bisedimeve.
“Unë gjykoj se është një gabim themelor që në zanafillë që morëm pjesë në dy komisionet e rëndësishme që në hapat e parë, pa një konsultë paraprake me maxhorancën se cila është tendenca, do të ketë rritje apo zvogëlim të numrit. Për Reformën Zgjedhore, dëshirojnë që ta ndryshojnë sistemin apo jo, duke bërë një skemë bipolare, përjashtuese. Kjo nuk ndodhi dhe unë kam shprehur një lloj habie dhe e di si funksionojnë komisionet.
Gjithmonë ka një marrëveshje të hapur apo nënkuptohet dhe kjo krijon një lloj konfuzioni edhe në raport me qytetarët dhe me ne si parti aleate. Ju vazhduat një tur dëgjesash, ne menduam se keni një konsensus dhe nuk iu shqetësuam për faktin se PD është partia më e madhe e opozitës. Sot vërejmë, megjithëse ato dëgjesa u dukën si ‘muaj mjalti’ mes anëtarëve të maxhorancës dhe opozitës. Ne as patëm informacione si parti aleate. Nuk dinim fare as datat. Kjo është mungesë e harmonizimit e marrëdhënies politike se ne duhet të ishim prezent me përfaqësuesit tonë. Opozita duhet të kishte rol më të madh, fjalën e vet dhe kundërshtinë dhe kjo nuk ndodhi.”, tha Ndoka.
Ai u ndal edhe te propozimi i PD-së për të krijuar 100 bashki, duke e cilësuar si joeficente. Duke marrë shembullin e disa vendeve evropiane, Ndoka tha se në vend duhet që të ketë më shumë se 200 bashki.
“Unë mendoj që edhe propozimi prej 100 bashkish i PD-së nuk është eficent se është numër sërish i vogël. Nëse marrim modele të BE, Franca ka 35 mijë komuna. Italia ka rreth 8 mijë komuna, ku qeverisin edhe me 3 mijë banorë. Është më efikase kur ke njësi që zgjidhen direkt nga komuniteti sesa një bashki të stërmadhe. Unë mendoj se këtu ka një tendencë që të ketë një goditje pluralizmi që në zanafillë se partitë tona janë asgjësuar edhe nëpërmjet Kodit Zgjedhor dhe përmes Reformës Territoriale. Edhe numri 100 duhet të ishte më i madh. I kemi mundësitë që të kemi mbi 200 bashki në vend, kemi një territor dhe një histori që nuk i lidh këto bashki.”, u shpreh ai.
Kritika pati edhe për Reformën Zgjedhore, teksa tha se opozita, ia ka përsosur sistemin Edi Ramës. Sipas tij, me gabimet e opozitës, Rama po bëhet më i rrezikshëm dhe se është e vështirë të largohet me votë.
“Ia kemi përsosur sistemin Edi Ramës. E ka marrë nga ne si dhuratë dhe ai po e përsos herë pas here, herë me gabimet tona që bojkotuam zgjedhjet dhe herë që dolëm nga sistemi. Kështu që ai me këtë sistem që ka marrë prej nesh si dhuratë, ai po vazhdon e bëhet shumë i rrezikshëm dhe e shoh shumë të vështirë që të largohet nëpërmjet votës. Dhe strategjia jonë është si ta pengojmë.”, shtoi ai.






