Ana Dajko, deputete e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” u paraqit sot në seancën e parë plenare të legjilaturës së XI, të Kuvendit të Shqipërisë, për konstituimin e përbërjes së re të dalë nga zgjedhjet e 11 majit.
Pas përfundimit të seancës të kuvendit 60 vjeçarja, dha prononcimin e parë për media. Ajo u pyet edhe për një lajm të medias greke, në të cilin shkruhej për origjinën e saj helene.
“Duke filluar nga nesër, helenizmi i Shqipërisë do të fitojë një përfaqësim të ri, por edhe të veçantë, në Parlamentin e vendit. Anna Partali-Dajko, me origjinë nga Simatati Kato Lesinitsa, do të ngjitet në vendet parlamentare”, është shkruar ndër të tjera nga media greke “apenadi.blogspot.com”.
Ana Dajko është shprehur se është shtetase shqiptare dhe se do të punojë për djemtë e vajzat e partisë që përfaqëson.
Mes shumë emocionesh deputetja ka bërë një lapsus duke thënë “kam përgjegjësi për 64 mijë mandate” , në vend të 64 mijë vota , kur është pyetur nga gazetarët.
60 vjeçarja është deputetja e vetme përfaqësuese e partisë “Nisma Shqipëria Bëhet”.




