Eurodeputeti gjerman Michael Gahler ka reaguar për protestat e studentëve në Shqipëri, duke ngritur shqetësime për korrupsionin dhe lidhjet mes shtetit, partisë në pushtet dhe krimit të organizuar.
Gahler, zëdhënës për politikën e jashtme i Grupit të Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, kujtoi përvojën e tij si drejtues i delegacionit të vëzhguesve të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në Shqipëri.
“Duke drejtuar delegacionin e vëzhguesve të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian (PE), kam dëshmuar lidhjet mes shtetit, partisë në pushtet dhe krimit të organizuar. Kam parë se prej sa kohësh qytetarët protestojnë kundër korrupsionit dhe qeverisë, duke ngritur shqetësime që prekin thelbin e perspektivës së integrimit evropian të Shqipërisë”, shkruan Gahler.
Reagimi i eurodeputetit vjen në një kohë kur protestat e studentëve dhe të rinjve në Shqipëri vijojnë, me kërkesa që lidhen me përgjegjësinë politike, korrupsionin dhe qeverisjen.






