E marta që u mbulua me gjak! Tre të vrarë me thikë brenda 4 orëve, ngjarjet kriminale që tronditën Tiranën, Durrësin e Beratin

0
0

Tre ngjarje kriminale, tre viktima brenda 4 orëve. Ky është bilanci i tmerrshëm i ditës së djeshme në vendin tonë. Arma e krimit në të tre rastet është thika. Një prej ngjarjeve ndodhi në Durrës, krim brenda familjes, ku djali i ri vrau të atin.

25-vjeçari Marjan Kodheli, i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, vrau me thikë babain e tij pas një konflikti të çastit në shtëpi. Pjetër Kodheli 69 vjeç nuk i mbijetoi sulmit dhe gjeti vdekjen e menjëhershme. Autori i krimit u arrestua nga policia pas ngjarjes.

Rreth orës 15:30 sipas policisë, në Komunën e Parisit në Tiranë u shënua një tjetër ngjarje fatale. Picieri Filip Shehu pas një konflikti, qëlloi kuzhinierin Indrit Ismaillari me thikë. Ky i fundit, ndërroi jetë rrugës për në spital. Autori i cili u prangos nga policia, ka pretenduar para grupit hetimor se Indrit Ismaillari e bullizonte.

Krimi u zhvendos në qytetin e Beratit. 63-vjeçari Kristo Mema, banues në lagjen “Barrikadë”, për motive të dobëta ka qëlluar me thikë Keli Hoxhën 42 vjeç, banues në Tiranë, i cili humbi jetën. Viktima kishte dashur t’i bënte foto vajzave të tij me kalë në kalanë e Beratit, por autori nuk kishte pranuar dhe mes tyre kishte ndodhur fillimisht një përplasje fizike që më pas ka degraduar në përdorimin e thikës nga ana e 63-vjeçarit.

Zjarr Tv Ad