Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar në një konferencë për mediat se do të udhëtojë drejt Teksasit për të marrë pjesë në konferencën e Partisë Republikane amerikane për zgjedhjet “midterm”.
Berisha sqaroi se vizita e tij bëhet si pjesë e një delegacioni të gjerë të Unionit Demokrat Ndërkombëtar (IDU), si dhe me ftesë të një instituti republikan, ndërsa konfirmoi se dokumentet e nevojshme ndodhen në ambasadën amerikane.
“Dokumentet janë në ambasadën amerikane dhe unë nuk kam prenotuar asnjë takim. Unë shkoj, siç e dini, shkoj në Teksas në konferencën e Partisë Republikane amerikane për zgjedhjet midterm. Unë jam në një delegacion të Unionit Demokrat Ndërkombëtar, një delegacion i gjerë, i cili është i ftuar nga Partia Republikane, parti kryesore në IDU, për të marrë pjesë në këtë konferencë. Përveç kësaj, unë kam një ftesë dhe nga një institut republikan”, tha Berisha.
Lidhur me zhvillimet politike në vend, kryedemokrati hodhi akuza ndaj mazhorancës për shpërndarjen e 1.5 miliardë eurove në kundërshtim me ligjin elektoral.
Ai tha se Partia Demokratike po përgatitet të prezantojë përballë qytetarëve kandidatët më të mirë që ka pasur ndonjëherë.
“Mazhoranca ka shpërndarë dhe po shpërndan 1 miliardë e gjysmë euro për hajdutët e saj lokalë në kundërshtim flagrant me ligjin elektoral.
PD po përgatitet të paraqesë para shqiptarëve kandidatët më të mirë që ata kanë pasur ndonjëherë”, përfundoi kryedemokrati.






