Heshtje institucionale për biznesin që “fshihet” nga tatimet në Fier

0
0

Zjarr TV kërkon transparencë nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve, por përgjigjja mungon prej javësh.

Nga Greta Hoxha, Zjarr Televizion

Drejtoria Rajonale e Tatimeve në Fier nuk i është përgjigjur ende kërkesës zyrtare të bërë nga Zjarr Televizion, në lidhje me aktivitetin e një biznesi të regjistruar në emër të subjektit Luljeta Hysenaj, i cili sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit rezulton i fshirë, por që vijon të operojë normalisht në treg.

Në kërkesën dërguar më datë 24/ 10/ 2025, gazetarja Greta Hoxha ka kërkuar informacion zyrtar mbi arsyet pse ky subjekt nuk paguan tatime, pavarësisht se është aktiv në veprimtarinë e tij. Por deri më sot, Drejtoria Rajonale e Tatimeve në Fier nuk ka kthyer asnjë përgjigje, duke shkelur afatin ligjor prej 10 ditësh që parashikon Ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”.

Sipas burimeve në terren, pularia e regjistruar në emër të Hysenajt vazhdon aktivitetin e saj të përditshëm, duke ofruar produkte dhe shërbime për konsumatorët në Fier, ndërkohë që në dokumentacionin zyrtar figuron si subjekt i mbyllur.
Kjo situatë ngre pikëpyetje të forta mbi monitorimin dhe kontrollin e bizneseve aktive që shmangin detyrimet tatimore.

Në mungesë të transparencës nga Tatimet e Fierit, Zjarr Televizion ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit, për të verifikuar nëse bëhet fjalë për një rast administrativ apo për shmangie të qëllimshme të taksave.

Në një kohë kur bizneset e vogla përballen me kontrolle të rrepta fiskale, heshtja institucionale në raste të tilla ngjall shqetësim publik dhe dëmton besimin tek transparenca e administratës tatimore.

Zjarr Tv Ad