Ish-presidenti Bamir Topi, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, foli për gjendjen e PD-së sot, parti ku ai militoi mëse tre dekada më parë. Ai u shpreh i trishtuar për lidershipin e sotëm të PD-së, që është ende i njëjti që kanë qenë gati 36 vite më parë, i cili nuk krijon më shpresë për shqiptarët.
“Është një çudi e madhe që e mbaj mend veten 36 vjet përpara te ngjarjet e qytetit ‘Studenti”. Ne flasim për Tiranën e vitit 1990 dhe nuk është Tirana e vitit 2025. E çuditshme por është sui generis dhe sheh të njëjtin individ. Mund të jesh kryeministër, ose president, por kur kalon në një ritual recidivist të humbjeve dhe ke të njëjtin individ, ky është problem për shoqërinë sepse heq shpresën për rotacion dhe ajo që lidhet me përgjegjëinë e opozitës ka të bëjë me identikitin e kryeministrit. Kur shikon që nuk ngjall më shpresë shkon dhe relativizojnë. Ku po shkojmë? Po shkojmë te ai që krijon një farë komoditeti që ka dhjetra e dhjetra probleme. Në një farë mënyrë jemi te e keqja e madhe që ka prekur këtë shoqëri, qoftë pozitë, qoftë opozitë. Një dyshe që edhe ndryshoi Kushtetutën e vitit 2008, vijon ta ndryshojë, kanë deklaruar që janë në bisedime sërish për ndryshimin e Kushtetutës, mendoj se është shumë.
Nuk ka personalitet politik botëror që t’i ketë rezistuar kaq vite dhe mos harro që janë të dy afatgjatë në pushtet. Sa është Berisha është pak a shumë edhe Rama”.




