Nga rojtare objektesh tek luksi, rruga e shpejtë drejt suksesit e Zegjine Çaushit

0
0

Deputetja 27-vjeçare e Kuvendit të Shqipërisë, Zegjine Çaushi, është një nga figurat më virale të legjislaturës së fundit, jo për ndonjë nismë ligjore, por për gafat televizive, replikat me Gazment Bardhin dhe shprehjen e famshme: “O Gazooo, më rëntë pika!”.

E dalë nga listat e Partisë Socialiste në Qarkun Fier, ajo nuk e fitoi mandatin me vota, por e siguroi “me shtesë”, pas dorëheqjes së kandidates më të votuar. Dhe, sipas burimeve të shumta brenda PS, kjo “fati i mirë” nuk vinte nga rastësia: Zegjineja ishte e preferuara e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Sot, roskovecarja e bërë “tiranase” paguhet mbi 5 mijë euro në muaj, bashkë me përfitimet e tjera ekstra për deputetët, dietat, bonus strehimi, karburantin, telefoninë dhe privilegjet që vijojnë edhe pasi të mos zgjidhet më, përfshi këtu edhe pensionin e posaçëm.

Por kush është në të vërtetë deputetja që u ngrit kaq shpejt në hierarkinë politike?

PUNËSIMET E FSHEHURA DHE RRUGA E SHPEJTË DREJT PARLAMENTIT

1. Nga “rojtare objektesh” në Illyrian Guard – drejt parlamentit

Në deklaratën vjetore të pasurisë të dorëzuar në ILDKPKI, rezulton se deri më 12 shtator 2025, ditën kur mori mandatin zyrtarisht, Zegjine Çaushi ka qenë e punësuar si rojtare në kompaninë shtetërore të ruajtjes fizike Illyrian Guard sha.

Kjo kompani është nën administrimin e Ministrisë së Brendshme dhe deri në fund të vitit 2024 ka pasur si administrator Anduel Xhindin, ish-deputet socialist, edhe ky nga Roskoveci, vendlindja e Zegjinesë.

Nga Illyrian Guard, deputetja ka deklaruar se ka marrë: 244,681 lekë paga gjatë vitit elektoral.

Pra, edhe duke kandiduar në zgjedhje, ajo vijoi të paguhej normalisht, pa shpenzuar asgjë për fushatë.

KURSIME TË ÇUDITSHME PËR NJË 27-VJEÇARE

Deklarata e pasurisë rihap një sërë pikëpyetjesh, jo vetëm për burimin e të ardhurave, por për nivelin e kursimeve që duket të jetë disi i pazakontë për dikë të punësuar si rojtare dhe specialiste bashkiake:

2. 15 mijë euro në bankë

Në datën 30 shtator 2025, Zegjineja ka deklaruar në llogarinë e saj individuale: 14,987 euro.

Për një të re 27-vjeçare, me paga të ulëta në administratë, kjo shumë është më shumë se sa mund të kursejnë shumica e qytetarëve të moshës së saj në Shqipëri.

3. 197 mijë lekë të kursyera

Në një tjetër llogari rrjedhëse në lekë, deputetja ka deklaruar: 197,237 lekë.

4. 3 milionë lekë të vjetra “cash” në banesë

Ajo ka deklaruar gjithashtu se mban në shtëpi: 300,000 lekë të reja në para fizike.

Të gjitha këto sipas saj janë para të kursyera nga paga.

POZICIONET E TJERA TË PUNËS – DHE NJË DOSJE E HESHTUR

Hetimi i CV-së dhe dosjeve të personelit të bashkisë solli edhe informacione të tjera për karrierën e Zegjine Çaushit:

5.Specialiste në Emergjencat Civile – Bashkia Roskovec

Zegjineja ka punuar më parë në Emergjencat Civile.

6.Kryeinspektore e IMT-së

Ka mbajtur funksionin e kryeinspektores së Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT).

Në këtë pozicion, emri i 27-vjeçares është përfolur për një rast të dyshuar abuzimi me detyrën. Nga procedimi penal, aktualisht e pandehur ka mbetur vetëm ish-kryetarja Majlinda Bufi, ndërsa Zegjineja, të paktën deri tani, “ia ka hedhur paq”.

LIDHJET ME FIRMA TË AFËRTA ME PUSHTETIN

Në CV-në dorëzuar në KQZ, deputetja ka përfshirë edhe një punësim tjetër:

7.Punëtore në kompaninë private “Baze shpk”

Kjo kompani drejtohet nga vëllezërit Krasniqi, njëri prej të cilëve ka qenë drejtor i Kadastrës. Vëllezërit Krasniqi kanë qenë më herët të përfshirë në një ngjarje të njohur në Fier, duke u përfolur për lidhje me segmente vendimmarrëse brenda administratës.

Ky punësim në kompani të lidhura me struktura të pushtetit shton dyshimet mbi rrjetin e mbështetjes politike që e ka shoqëruar Zegjinen drejt karrierës së saj të shpejtë.

KONTRASTI I FORTË: NGA “ROJTORE” TE PRIVILEGJET E DEPUTETES

Sot, Zegjine Çaushi mban një nga pozicionet më të privilegjuara në hierarkinë shtetërore:

  • pagë mbi 5,000 euro/muaj bashkë me shtesat
    • përfitime të tjera financiare
    • të drejtë për pjesë të pagës edhe nëse nuk rikandidohet
    • pension të posaçëm parlamentar

Nga ana tjetër, pak muaj para mandatit, ishte një punonjëse sigurie në një ndërmarrje shtetërore.

Ky kontrast e bën edhe më të fortë pyetjen që sot bëjnë shumë qytetarë:

“O Gazoo… nga rojtare objekteve tek deputete e Parlamentit, si u bë kaq e fuqishme dhe kaq e pasur për kaq pak kohë?”

KONKLUZIONI INVESTIGATIV

Rruga e Zegjine Çaushit është një histori tipike e promovimit politik pa meritë, ku:

Punësimi në ndërmarrje shtetërore shërben si trampolinë për karrierë.

Lidhjet me figura si Belinda Balluku janë vendimtare për futjen në listat e PS.

Punësimet e shumëfishta dhe kursimet e pazakonta hapin pikëpyetje për transparencën dhe burimin real të të ardhurave.

Në pozicionet publike, përgjegjësia shmanget dhe dosjet zbehen, ndërsa karriera ecën me shpejtësi.

Kjo është historia e një “rojtarjeje objektesh” që sot paguhet më shumë se specialistët më të paguar në Shqipëri, një realitet që tregon qartë se si funksionon meritokracia e shtetit partiak./Publik.al

Zjarr Tv Ad