SPAK ka arritur të zbardhë detaje nga pengmarrja e biznesmenit konkurent të Gerond Meçe, organizatorët e së cilës janë Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, dy personat që kontrollonin dhjetëra miliona euro nga buxheti i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe që do t’i mbyllnin telashet me rivalit të tyre duke angazhuar edhe policinë, edhe bandat kriminale.
Kur kuptoi se po humbte terren tek tenderat e AKSHI-t, biznesmeni Gerond Meçe zgjodhi të bënte një seri ankesash për tenderat e fituara nga dyshja Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, praktikisht duke bllokuar punën e institucionit.

Ankesat e Gerond Meçes i ka pranuar edhe drejtoresha e institucionit, Mirlinda Karçanaj në SPAK, kur është marrë në pyetje. “Ishtë bërë një problem i madh nga ky operator ekonomik pasi ka pezulluar punën e të gjithë institucioneve shqiptare, nëpërmjet ankesave që ka bërë për shumë procedura prokurimi dhe jo vetëm në AKSHI” ka thënë në dëshminë e saj Mirlina Karçanaj.
Prandaj, për të zhbllokuar paratë, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri që tashmë prisnin fitimet nga tenderat, vendosin të marrin peng Gerond Meçen, biznesmenin e mllefosur që nga viti 2023 po shihte se si po i iknin milionat e AKSHI-t.
Në dosjen e SPAK janë fotot e pengmarrjes, kur një mjet ka ndaluar në rrugë dhe nga aty dalin dy persona me jelekë me mbishkimin “Policia”. Hetuesit e BKH e përshkruajnë si më poshtë skenën e ngjarjes: “Nga dera e pasme e krahut të shoferit, një person i dytë i cili mban kapele të zezë, bluzë me krahë të shkurtra me ngjyrë të bardhë dhe një jelek të ngjashëm me ato të policisë së shtetit, me mbishkrim POLICIA. Në këtë moment del edhe shoferi i cili mban maskë të zezë në fytyrë, syze të zeza, kapele të zezës, xhinse ngjyrë blu, atlete të zeza dhe një jelek të ngjashëm me atë të policisë së shtetit me mbishkrimin POLICIA”.
Në foto janë dokumentuar personat e veshur me uniforma policie që lëvizin në mes të ditës në Tiranë duke marrë peng biznesmenin që kishte shqetësuar Ergys Agasin.
Në dosje nuk është e qartë se çfarë ka ndodhur me Gerond Meçen gjatë momenteve të rrëmbimit, çfarë kërcënimesh i janë bërë, apo cili ka qenë destinacioni i pengmarrrëse. Ajo që ka treguar biznesmeni në SPAK është se pengmarrësit “kishin dialekt nga zona e Elbasanit” dhe i kishte thënë se nëse do ta shihte ndonjëherë në Elbasan, mund edhe ta përshëndeste.
Pas rrëmbimit, Gerond Meçe udhëtoi drejt Gjermanisë ku bëri kallëzim për rrëmbimin nga personat me uniformat e policisë, nga ku erdhi presioni në SPAK për të vazhduar më tej me këtë hetim.
Hetuesit kanë zbuluar edhe rolin e zv.drejtorit të policisë së Tiranës, Ermal Ismaili si pjesë e grupit të strukturuar kriminal për tenderat e AKSHI. Biznesmeni Gerond Meçe ka treguar se para se ta merrnin peng, zv.drejtori i policisë i kishte kërkuar “të rrijë larg AKSHI-t”.
Duke parë atë që ka ndodhur në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, tenderat fiktivë që çonin miliona euro në xhepat e Ergys Agasit, bashkëpunimin e zyrtareve të larta të institucionit dhe përfshirjen e zv.drejtorit të policisë së Tiranës dhe grupeve kriminale në një pengmarrje, SPAK ka arritur në përfundimin se kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal, që veproi si i tillë për të zgjidhur problemet me biznesmenin Gerond Meçe. Por në këtë grup, SPAK ka përfshirë edhe titullarët e institucionit.
“Shtetasja Hava Delibashi, në bashkëpunim me shtetasit Mirlinda Karçanaj, Ergys Agasi, Ermal Beqiri dhe në vijim gjatë implementimit shtetasit Andis Papa dhe Gëzim Hoxhu, kanë nën kontroll të plotë ecurinë e të gjitha procedurave të prokurimit, duke filluar që nga momenti i hartimit të termave të referencës, kriteret e veçanta të kualifikimit, studimi i tregut e deri tek shpallja e fituesit”, thuhet në dosje.
Ergys Agasi është i njohur tashmë në media, që pas prezantimit që i bëri Arben Ahmetaj si koordinator i krimit në shërbim të kryeministrit Edi Rama. Ortakëria e tij me Ermal Beqirin ishte raportuar më parë, si dyshja që kishin nën kontroll tenderat e AKSHI-t.
Por deri dy vjet më parë, ishte kompania Advanced Business Solution e Gerond Meçes përfituesja kryesore të fondeve të institucionit që drejtohej nga Mirlinda Karçanaj, duke marrë kontrata me vlera shumë të larta dhe duke dominuar pothuajse çdo procedurë prokurimi në fushën e teknologjisë shtetërore.
Situata ndryshoi në mesin e vitit 2023. ABS u përjashtua nga garat dhe vendin e saj në tenderat e AKSHI t e zunë kompani të tjera, të lidhura me Ermal Beqirin, veçanërisht Soft & Solution.
Nga filmimet që Ergys Agasi ka bërë në zyrën e tij, del edhe Mirlinda Karçanaj teksa koordinohet me të dhe Ermal Beqirin. Foto më poshtë:

Marrëdhënien miqësore që ka me Ergys Agasin, Mirlinda Karçanaj e ka pranuar në SPAK, por sipas saj, kjo marrëdhënie nuk ka sjellë ndonjë ndikim apo konflikt interesi në tenderat e AKSHI-t.
“Raport miqësor nuk kam me asnjë por për t’i njohur i njoh të gjithë pasi janë pak dhe janë ekspertë të fushës. As nuk pi kafe dhe as nuk rri apo të shoqërohem me ndonjë operator ekonomik jashtë zyre. Ka patur një rast ku kam takuar një operator ekonomik të cilin e kam takuar rastësisht në zyrën e një të njohuri tim, të cilin e kisha takuar për një kafe në zyrën e tij, për shkak të një konsulence private, konkretisht në zyrën e shtetasit Ergys Agasi, me të cilin kam njohje të vjetra, të cilin e kam takuar disa herë në zyrën e tij, për çështje private. Ergysi do të bënte një partneritet që donte të bënte me një kompani izraelite, dhe më pyeti për një zgjidhje teknike. Në këtë ambient ka qenë dhe shtetasi Ermal Beqiri, i cili rezultoi në mënyrë rastësore prezent në këtë takim. Me shtetasin Ermal Beqiri mund të jem takuar vetëm një herë jashtë zyre në një ambient privat por jemi takuar në ambientet e AKSHI si me çdo drejtues të kompanive private, për të mirëmenaxhuar implementimin e projekteve shtetërore. Me shtetasin Ergys Agasi, mund të jem takuar disa herë në zyrën e tij, për shkak të raportit miqësor që ne kemi. Po kështu, deklaroj faktin se lidhur me njohjen time me shtetasin Ermal Beqiri, kam qenë gjithashtu në një udhëtim të përbashkët me shumë përfaqësues të tjerë të shoqërive të teknologjisë dhe informacionit, të cilat kanë krijuar një organizatë jofitimprurëse së bashku dhe gjatë kohës së fushatës, u kërkua nga kryeministri që të shkohej në Greqi dhe t’u kërkohej emigrantëve që të ktheheshin në atdhe, me qëllim për t’u punësuar në institucione të ndryshme dhe institucionin tonë” ka deklaruar Mirlinda Karçanaj në SPAK.
Kalimi i tenderave të AKSHI-t nga kompanitë e Gerond Meçes tek ato të Ermal Beqirit krijoi një përplasje të hapur mes dy biznesmenëve. Për shkak të këtyre ankesave të njëpasnjëshme, AKSHI përfundoi në një ngërç total dhe gjatë vitit të fundit nuk arriti të mbyllte pothuajse asnjë tender të rëndësishëm.
Në këtë klimë konflikti të vazhdueshëm, sipas hetuesve, ndodhi edhe pengmarrja e Gerond Meçes, që synonte ndalimin e ankesave dhe largimin e tij nga gara për fondet publike.
Pas rrëmbimit dhe kallëzimit të bërë në Gjermani, sjellja e Meçes ndryshoi. Ai u tërhoq nga ankesat për tenderat e AKSHI t dhe, siç rezulton nga dokumentet zyrtare, ai hoqi dorë nga të gjitha procedurat e ankimimit që kishte në proces, duke pranuar edhe pagesën e tarifave përkatëse.
Kjo tërheqje ka sjellë zhbllokimin e menjëhershëm të procedurave të AKSHI t dhe i ka hapur rrugë vijimit të tenderave dhe parave në kompanitë e Ergys Agasit. Pengmarrja tregoi se si po menaxhohen sot tenderat e institucioneve shtetërore, si janë shndërruar në ushqim për bandat kriminale, që pasi fitojnë paratë e taksave tona, përdorin policinë për të marrë peng rivalët që ankohen./Lapsi.al




