Policia ndërhyri në mesnatë për t’i hequr karriget, Adriatik Lapaj transportohet me urgjencë në spital

0
0

Kreu i lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, ka mbetur i lënduar gjatë ndërhyrjes që policia ka kryer rreth mesnatës për të larguar protestuesit e grumbulluar para Kryeministrisë.

Sipas informacioneve paraprake, gjatë përplasjeve Lapaj është dëmtuar nga goditja përmes një bombole gazi dhe është transportuar me urgjencë në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Lapaj ndodhet ende në spital në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, teksa theksohet se nuk ka pësuar dëmtime serioze.

Aktivistët janë shprehur që protestat para Kryeministrisë do të vijojnë gjatë ditëve në vazhdim ku i kanë kërkuar qytetarëve që t’i bashkohen.

Pas kësaj situate Lapaj përmes një reagimi në rrjetet sociale shprehet se nuk do të dorëzohet, duke paralajmëruar se sapo të mbaroj ekzaminimet në spital do të kthehet sërish në shesh. Përgjegjës për këtë ai bën kryeministrin Edi Rama.

“Ndodhem te Spitali i Traumës ku po kryej ekzaminimet. Sërish do kthehem në shesh. Edi Rama unë nuk të kam frikë. Përkundrazi! Ti je kreu i një bande dhe do mbash përgjegjësi”, shkruan Lapaj në rrjetet sociale.

Ndërkohë blutë nga ana tjetër përmes një njoftimi bëjnë me dije se kanë arrestuar 4 persona, të identifikuar si Edison Haklaj, Alfred Matoshi, Eligert Hima dhe Ergjys Llanaj. Sipas njoftimit zyrtar të arrestuarit gjatë protestës kanë hedhur sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë. 2 prej efektivëve pësuan dëmtime dhe një prej tyre ndodhet ende në spital.

Përveç të arrestuarve Policia ka nisur hetimet edhe për nëntë persona të tjerë, mes tyre edhe Adriatik Lapaj.

Zjarr Tv Ad