Dash Sula: Më ka telefonuar Edi Rama, ja oferta që më bëri

0
0

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka folur këtë të premte në lidhje me aludimet në media për pazare të mundshme me Partinë Socialiste.

Në një prononcim për News 24, Sula ka pranuar se ka pasur një telefonatë direkte me kryeministrin Edi Rama, të cilën e cilësoi si vlerësuese dhe civile.

Sipas Sulës, kryeministri e ka kontaktuar personalisht, duke i shprehur respekt për integritetin dhe dinjitetin e tij gjatë rreth 20 viteve në politikë.

“Më ka thënë se respekton dinjitetin dhe integritetin tim si një njeri i papërfolur dhe më ka ftuar të kontribuoj për shtetin shqiptar aty ku e mendoj vetë”, deklaroi ish-deputeti.

Ai theksoi se përgjigjja e tij ka qenë e sinqertë dhe refuzuese. “I thashë që nuk jam gati”, u shpreh Sula, duke sqaruar se telefonata ka ndodhur në muajt gusht ose shtator, para nisjes së sesionit parlamentar.

Sipas tij, ai ka zgjedhur të vijojë angazhimet e veta personale dhe profesionale, pa pranuar asnjë ofertë në atë moment.

Sula ka deklaruar gjithashtu se edhe më herët i janë ofruar pozicione të ndryshme drejtuese, si drejtor drejtorie, drejtor juridik dhe funksione të tjera në administratë, por përgjigjja e tij ka qenë gjithmonë negative.

Ish-deputeti ka treguar se edhe pas përplasjes me kryedemokratin Sali Berisha, kur sipas tij u përjashtua nga Partia Demokratike, ka pasur tentativa për ta afruar në radhët e forcave të tjera politike. “Në momentin që Berisha më preu kokë e këmbë, kam pasur ofertë dhe nga njerëz të PS për të qenë pjesë aty, por kam thënë absolutisht jo”, u shpreh ai.

Zjarr Tv Ad