Të vërteta dhe jo/ Gjithçka duhet ditur nga letra e Trump për Ramën

0
0

Letra e Donald Trump dërguar Edi Ramës për të marrë pjesë në bordin e paqes për Gazan u prit në Shqipëri, sa me hosana për kryeministrin dhe lartësitë ku e ka ngritur ai Shqipërinë në skenën ndërkombëtare, po aq edhe me skepticizëm dhe gënjeshtra që rekeshin ta zeronin këtë akt.

Ndërsa të parët kumtonin se Rama i rregulloi marëdhëniet me Trump, se ai mbetet aleat i veçantë i SHBA, se ftesa ka ardhur si rezultat i arritjeve të tij, kundërshtarët në mënyrë po aq absurde pretendonin se ajo ka një çmim financiar, dhe se ajo është një rrutinë e zakonshme që i është drejtuar shumicës së shteteve.

Po si qëndron e vërteta? Lapsi.al ka analizuar një për një të gjitha tezat kryesore që janë hedhur në publik që prej të premtes, si ato që ekzaltojnë ftesën e Trump, si ato që synojnë ta banalizojnë atë…

MBESHTETESIT/ Një ftesë ekskluzive për Ramën

Kryeministri e shpalli me bujë, me gërma kapitale letrën që i dërgoi në 16 janar, presidenti Trump dhe menjëherë buritë e veta mediatike nxituan të komentonin se ky është një ndër i veçantë që jepet si dhuratë për politikën e jashtme të ndjekur nga kjo qeveri. Në fakt, duket se nuk është kështu. E njëjta letër, me të njëtin tekst është bërë tashmë publike nga më shumë se dhjetë shefash shtetesh. Disa media si Jerusalem Post, Le Figaro apo Kathemerini flasin për 60 anëtarë themelues të bordit të paqes, njësoj si Shqipëria. Të tjerë e çojnë numrin në 100. Vetë Rama u mjaftua të thotë se nuk do jenë të gjithë anëtarët e OKB-së. Ndërsa Associated Press njoftoi se numri i përgjithshëm i vendeve të ftuara mbetet i panjohur dhe se Shtetet e Bashkuara pritet të shpallin listën e tyre zyrtare të anëtarëve në ditët në vijim, me shumë mundësi në takimin e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Pra deri më tani nuk ka asnjë të dhënë se Ramës i është bërë një nder i veçantë, ndryshe nga ministrja e jashtme Spiropali që deklaroi këtë të hënë se kjo ftesë është një vlerësim për lidershipin e kryeministrit Rama.

KUNDERSHTARET/ Do paguhen një miliard USD

Një njoftim i dhënë nga burime OFF ka bërë me dije se për të qenë pjesmarrës në Bordin e Paqes çdo anëtar duhet të paguajë 1 miliardë USD për rindërtimin e Gazës. Nga kjo, kritikët e qeverisë në Tiranë nxorën tezën se ky vend ishte blerë me para dhe do i kushtonte shumë buxhetit të shtetit. Në fakt, nuk është e vërtetë. Jo vetëm se kryeministri ynë e ka përgënjeshtruar këtë gjë, por edhe se mënyrën e financimit e kanë shpjeguar edhe shumë media perendimore. Vërtet përflitet se Donald Trump ka kërkuar 1 miliard USD nga çdo shtet, por ama vetëm për ato që do të donin të ishin anëtarë të përhershëm të bordit. Për vende si Shqipëria, që janë ftuar vetëm për një mandat tre vjeçar, nuk ekziston ky detyrim financiar.

MBESHTETESIT/ Shqipëria mes vendeve të zgjedhura

Në mediat pranë Ramës është hedhur një teori se vendi ynë është përzgjedhur mes 10 vendeve themeluese, ndërsa dhjetra shtetet e tjera që do të jenë pjesë e bordit të paqes do të shtohen aty jo si themelues. Ky version nuk mbështetet në asnjë burim. Të gjitha shtetet që kanë konfirmuar deri më tani ftesën janë ftuar me të njëjtin status, si themelues. Kryeministrave apo presidentëve të tyre i është dërguar i njëjti tekst, me firmën e Trump. Pra pretendimi se jemi të veçantë deri më tani tingëllon si “fake”.

KUNDERSHTARET/ Do marrim refugjatë nga Gaza në Shqipëri Ideja fillestare e zhvendosjes se Popullsisë së Gazës, për ta kthyer atë sipas miliarderit Donald Trump, në një rivierë të lindjes të mesme me kulla luksoze, i ka shtyrë opozitarët shqiptarë të hedhin teorinë se ftesa Ramës i është bërë në këmbim të hapjes së kampeve për pritjen e refugjatëve palestinezë që do të largohen nga Gaza. Nuk ka asnjë provë për vertetësinë e këtij pretendimi. Kryeministri shqiptar e ka përgënjeshtruar, por as në dokumentat e publikuara deri më tani ky fakt nuk përmendet fare.

MBESHTETESIT/ Prova se Amerika nuk na sheh si Narkoshtet Mbërritja e kësaj letre kaq të shumëpritur nga Trump, pikërisht në kohën kur dukej se mardhëniet mes dy qeverive ishin ftohur, i ka bërë partizanët e Ramës ta interpretojnë atë si një shpëlarje nga akuzat për narkotrafikun, të theksuara në mesazhet e mëparshme si ato të sekretarit të shtetit Marco Rubio. Në fakt, mes dy gjërave nuk ka asnjë lidhje. Në ftesë nuk është marrë parasysh as forma e regjimit, madje as pastërtia e tij. Një ftesë e ngjashme me atë të kryeministrit tonë, për tu bërë pjesë e Bordit të Paqes, i ka mbërritur edhe Shefit të Partisë Komuniste të Vietnamit, Tô Lâm, në të njëjtën ditë dhe me të njëjtin tekst.

Qëllimi i kësaj nisme nga administrata amerikane është ti japë asaj sa më shumë legjitimitet numerik dhe jo të bëjë skanimin e pjesmarrësve. Prandaj argumenti se kjo letër të shplan nga mëkatet nuk ka asnjë bazë.

KUNDERSHTARET. Një dhuratë e lobuar

Në përpjekjen e tyre për ti qëndruar besnikë tezës se Rama i ka të shkatërruara marëdhëniet me SHBA-në, opozitarët e tij kanë hedhur pandehmën se ftesa atij i ka ardhur falë favoreve financiare që i ka bërë Tony Blair dhe dhurimit të Sazanit apo Zvërnecit, që po i bën dhëndërit të Trump, Jared Kushner, të cilët, që të dy do të jenë anëtarë të bordit ekzekutiv për administrimin e Gazës. Nuk është çudi që dikush prej tyre, apo ndonjë tjetër nga Katari, ta ketë propoziar Ramën. Por kjo është e pamjaftueshme për të përligjur të tërën. Arsyet mund të jenë edhe të tjera. E para, Shqipëria prej tre dekadash dhe me te gjitha qeveriitë, është një vend i Konferencës Islamike, që mban njëkohësisht edhe marëdhënie të shkëlqyera me Izralelin. Si i tillë imazhi i saj mund të përdoret dyfish. Së dyti, duke suprimuar demokracinë në vendin e tij Rama mund të jetë një anëtar komod bordi që nuk është i detyruar ti japë asakujt llogari për vendimet që do i kërkohen të mbështesë. Në botën e re të Trumpit, ky është një privilegj që mund të ketë ndikuar. Një shembull. Shumë vende të BE-së që e kanë marrë ftesën, përfshirë dhe shtete të vogla si Qipro, nuk kanë nxituar ti përgjigjen pozitivisht asaj, duke u përpjekur më parë të kuptojnë se cilat janë risqet dhe të mirat e kësaj nisme. Rama njësoi si presidenti i Paraguajit e priti me ekzaltim, pa pyetur kërkënd. Dhe kjo është një atu që shpërblehet./ Lapsi.al

Zjarr Tv Ad