Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor deputetin dhe kryetarin e Partisë Mundësia, Agron Shehaj, për veprën penale të fyrjes, në çështjen e ngritur pas deklaratave të tij ndaj kreut të “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj.
Shehaj u shpall fajtor për veprën penale të fyerjes, duke e dënuar me gjobë në vlerën e 300 mijë lekëve. Sipas vendimit, akuzat nuk plotësojnë elementët e veprës penale të shpifjes, ndërsa janë konsideruar si fyerje ndaj figurës së Adriatik Lapajt.
Kujtojmë se Adriatik Lapaj e kishte paditur Agron Shehajn për shpifje, në lidhje me deklarata publike të këtij të fundit, ku ka pretenduar për lidhje të Lapajt me eksponentë të botës së krimit. Shehaj e akuzoi Lapajn se kishte marrë 4.5 milionë lekë nga një kompani e sekuestruar nga SPAK pasi përdorej për të pastruar paratë e një grupi kriminal. Ai mohoi akuzat duke thënë se paratë nuk i kishte marrë dhe ishin thjesht detyrime ndaj shërbimeve si avokat ndaj kompanisë në fjalë.




