Kreu i PD-së, Sali Berisha, i ftuar në emisionin Opinion, akuzoi rëndë kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar se ai është “kriminel i implikuar në vrasje”.
Sipas Berishës, Ergys Agasi nuk lëvizte asnjë milimetër pa miratimin e Ramës, duke theksuar se çdo veprim i tij ishte i koordinuar dhe i kontrolluar drejtpërdrejt nga kryeministri.
“Ta kemi shumë të qartë. Ai (i referohet Ramës) është një kriminel, ta dish një gjë. Është i implikuar me dokumente edhe në vrasje.
Ergys Agasi nuk lëvizte asnjë milimetër pa të. Ergys Agasi ishte goja e tij, mendja e tij, shpirti i ti i zi”, u shpreh Berisha.
Ergys Agasi është shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për aferën e fondeve publike në AKSHI.
Sipas dosjes hetimore, ai dyshohet se ka qenë pjesë kyçe e një skeme të organizuar abuzimi me tendera, përmes procedurave fiktive dhe faturimeve të rreme, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare.
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj e ka përshkruar Agasin si një nga njerëzit më të afërt të Ramës, duke pretenduar se ai ka pasur akses të drejtpërdrejtë në ambientet e Kryeministrisë dhe ka marrë pjesë në takime informale, jashtë çdo funksioni zyrtar.
Sipas Ahmetajt, Agasi ka shërbyer si ndërmjetës i interesave të paligjshme dhe si koordinator në prapaskenë, duke vepruar nën mbrojtje politike.




