Gazetari Artan Hoxha ka dalë pak minuta më parë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku u paraqit paraditen e kësaj së hëne dhe dorëzoi audiopërgjimin origjinal të protestës së 21 janarit, ku humbën jetën 4 protestues.
Në një deklaratë para gazetarëve, Hoxha theksoi se ky material jep informacione për vrasjet e bëra në mes të bulevardit dhe përmban indicie se vrasjet janë bërë me urdhër.
“Burimi në këtë rast jep informacion për vrasje. Pra, nuk është denoncuar një rast grabitje, por një krim shtetëor dhe vrasje të bëra në mes të bulevardit. Për mua me rëndësi është mbrojtja e burimit.
Tashmë kemi një indicie dhe nga video tregohet se vrasjet janë bërë me urdhër dhe ka pasur mbikëqyrje të njësisë që kanë shkrepur armët.
Për mua merr rëndësi mbrojtja e burimit sepse ka bërë një shërbim ndaj vendit. Mbi të gjitha, denoncon një krim shtetëror”,-tha Hoxha.




