Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë në Jeruzalem të Izraelit, e cila ka nisur prej 25 janarit dhe do të mbyllet ditën e martë, më 27 janar. Vizita zhvillohet në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit. Shefi i qeverisë është pritur nga homologu Benjamin Netanjahu, me të cilin mbajti edhe një deklaratë për shtyp.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka marrëdhënie të shkëlqyera me Izraelin. Sipas kreut të qeverisë, edhe pse shumica e popullsisë shqiptare është myslimane, u bashkua me vuajtjen e popullit palestinez, dhe nuk shprehu urrejtje ndaj izraelit.
Rama shtoi se Shqipëria është kundër antisemitizmit.
“Dua ta theksoj dhe një herë se Shqipëria dhe Izraeli ndajnë marrëdhënie të shkëlqyera që i kanë rrënjët në miqësinë e thellë midis popujve shqiptar dhe hebre, farkëtuar përmes shekujsh historie, kur më shumë se një herë, hebrenjtë që i iknin persekutimit në perëndim erdhën e u vendosën në brigjet tona. Trashëgimia unike historike e Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit e bën këtë lidhje thellësisht të veçantë, e për mua, për ne, është dëshmia e kurajës morale të gjyshërve tanë, një dëshmi që kurrë nuk duhet ta harrojmë dhe duhet të bëjmë gjithçka për ta trashëguar brez pas brezi.Qeveria është plotësisht e përkushtuar për ta kremtuar këtë trashëgimi të çmuar nga historia dhe mban një qëndrim të vendosur, të qartë e të pandryshuar kundër antisemitizmit, si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht.
Edhe pse popullsia shqiptare, me shumicë myslimane, u bashkua me solidaritetin në mbarë botën, me vuajtjen e popullit të thjeshtë palestinez, gjatë luftës në Gaza, shqiptarët nuk u mblodhën në mitingje urrejtjeje kundër Izraelit, e as projektuan zemëratën e tyre për dhimbjen e tmerrshme të popullit palestinez, mbi numrin në rritje të vizitorëve hebrenj në vendin tonë. Kjo përbën një kontrast shumë të theksuar me atë çka për fat të keq ka ndodhur në shumë pjesë të tjera të Evropës, ku antisemitizmi edhe një herë u shndërrua në një prani thellësisht trazuese. Vendi ynë qëndron në mënyrë të palëkundur kundër antisemitizmit, po aq sa qëndron kundër islamofobisë. Ne qartësisht refuzojmë të lejojmë urrejtjen apo diskriminimin të udhëheqë mendimin, veprimet apo marrëdhëniet tona me popuj e vende të tjera.”, theksoi Kryeministri Rama.




