Protesta e 24 janarit, AMP nis hetimet për shoqërimin e të miturit

0
0

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet lidhur me shoqërimin e një të mituri, 14 vjeç, në komisariatin e Tiranës gjatë protestës kombëtare të opozitës. Dosja është dërguar në Prokurorinë e Tiranës dhe hetimet përqendrohen te kushtet e shoqërimit të të miturit.

Sipas njoftimit të AMP-së, efektivët që kanë kryer shoqërimin do të merren në pyetje, ndërsa njëkohësisht do të shqyrtohen edhe praktikat e përgjithshme të shoqërimit në komisariat.

Prokuroria e Tiranës pritet të nisë hetime shtesë edhe pas akuzave të opozitës për përdorimin e gazit lotsjellës të skaduar, raporton gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj.

Kujtojmë se jo më larg se dje, në sallën e Kuvendit, vetë ministrja e Brendshme Albana Koçiu sqaroi të gjitha aludimet e ngritura mbi rastin e të miturit.

“I mituri është konstatuar duke gjuajtur me sende të forta, për të mbrojtur jetën e policëve dhe vetë të miturin, ai është marrë për verifikim, siç e parashikon ligji.

Bëhet fjalë për një 14 vjeçar, nuk është trajtuar në mënyrë çnjerëzore, ka qëndruar në një ambient të posaçëm dhe të përshtatshëm në përputhje me standardet e garancisë ligjore për mbrojtjen e të miturve. Me paraqitjen e përfaqësuesve ligjorë, është lënë i lirë.

Askush nuk duhet t’i përdorë fëmijët si mburojë politike, për të justifikuar dhunën. Kush nxit dhe përdor dhunë, duhet të mbajë përgjegjësi penale dhe politike patjetër”, tha ajo.

Zjarr Tv Ad