Kryeministri Edi Rama po bëhet gati të ndërtojë një mur politik me votat e 11 Majit për të mbrojtur Belinda Ballukun nga arrestimi. Qëllimi është ta shpërbëjë mitin që e ngriti vetë për drejtësinë e re, kur premtonte se socialistët nuk do t’i bëheshin kurrë pengesë gjyqësorit që po na afron me Bashkimin Europian.
Sjellja e Ramës muajt e fundit po paralajmëron pikërisht momentin kur të mbërrijë në parlament kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut dhe atëherë 850 mijë votat e socialistëve të 11 Majit, të shndërrohen në mburojë parlamentare për Belinda Ballukun, për të cilën prokurorët kanë argumentuar se paraqet rrezikshmëri për krime të rënda dhe se ka përdorur kohën në dispozicion për të ushtruar presion ndaj një dëshmitareje në dosjen e aferave me rrugët.
Por para se të shkojë në seancë, Rama duhet të gëlltisë fjalët që ka thënë për drejtësinë e re.
Premtimi për të mos e shndërruar PS në “rifugio”
Fushata e 11 Majit dhe periudha pas zgjedhjeve kishin një refren: Partia Socialiste si promotore e drejtësisë së re, e gatshme të paguajë koston politike të hetimeve, në emër të integrimit europian dhe të shtetit ligjor. Sado cinike të duket sot, Rama mburrej në fushatë me arrestimet e ish-miqve të tij Lefter Koka, Erion Veliaj, Ilir Beqaj etj, duke e krahasuar Partinë Socialiste me një mace që dinte të kapte minj më mirë se të gjitha macet e tjera.
Jo shumë larg, në shtator të 2025, në asamblenë e parë të Partisë Socialiste pas zgjedhjeve të 11 Majit, Rama ua qartësoi deputetëve dhe ministrave vijën e kuqe: Partia Socialiste nuk do të kthehej në “llogoren e përbashkët apo në një rifuxho për të marrë në mbrojtje këdo” që kishte probleme me drejtësinë dhe në çdo rast socialistët as nuk do të nxirrnin “artilerinë kundër SPAK-ut apo GJKKO-së”.
Madje, ai e çoi argumentin deri në kufijtë e një vetëflijimi politik, duke thënë se edhe nëse prokurorët apo gjyqtarët e posaçëm do t’i trajtonin socialistët si “kavie eksperimentale”, kjo duhej pranuar si pjesë e një procesi më të madh.
“Kush nuk është dakord me këtë qasje të dhimbshme, nuk është për këtë punë, nuk duhet të merret me politikë në llogoren e Partisë Socialiste. Ka të gjithë të drejtën e vet të ketë një qasje tjetër, por jo në radhët e udhëheqjes së Partisë Socialiste” shprehej Rama.
Mesazhi ishte kristal për këdo. Kush mendonte se mund t’i dilte kundër prokurorëve të SPAK dhe gjykatësve të GJKKO e kishte derën hapur për t’u larguar nga Partia Socialiste.
Të dehur nga postet e ministrave që u shpërndanë në po të njëjtën mbledhje, të gjithë duartrokitën fjalën e tij. Edhe Belinda Balluku.
Kjo e fundit, deri ditën që u njoh me akuzën e prokurorit Dritan Premçi, u shpreh në të njëjtin ton institucional në dalje të SPAK: “Jam shpresëplotë se ky do të jetë një proces i bazuar mbi transparencën, llogaridhënien dhe mbi të gjitha tek parimet e drejtësisë së pandryshueshme tek e cila besoj”.
Fjalët sot i ka marrë era.
“Volumi” i dosjes, herë bind e herë nuk bind
Nga “detyrim paraqitje” për Belinda Ballukun, SPAK shkoi te sekuestrimi i pasaportës, pezullimi nga detyra dhe në fund çoi në parlament kërkesën për arrestim. Dosja e Ballukut u përshkallëzua brenda pak javësh. Sa herë që prokurorët hidhnin një hap, gjuha e mazhorancës ashpërsohej.
Nga punishtja e propagandës nisën të prodhohen argumente të reja: jo më mbështetje e pakushtëzuar për drejtësinë, por analizat mbi standardet e paraburgimit, proporcionalitetin e masave dhe të drejtat e të pandehurve.
Vetëm se kjo nuk është hera e parë që Partia Socialiste përballet me një kërkesë për autorizim për arrestimin e një deputeti nga SPAK. Kur ka komentuar rastin e dhënies së autorizimit për arrestimin e Arben Ahmetajt, Rama e vlerësoi që prokurorët i kishin vënë përpara “dosjen e një pune voluminoze hetimore”.
Fakti që dosja për Arben Ahmetajn ishte voluminoze i kishte pëlqyer kryeministrit si një sinjal në favor të votës pro. Por sot, në rastin e Ballukut, voluminoziteti është problem.
“Po të isha unë në Këshillin e Mandateve do t’iu thoja çohu ikni dhe kthehuni me një dosje për deputetët. Nuk mund të vini këtu me 16 mijë faqe që i quani prova. Nuk janë produkt hetimi. Janë 16 mijë faqe ku janë futur brenda kontrata, studime, arkivi i ministrisë futur brenda” është shprehur Rama për prokurorët që i kërkojnë të zhveshë nga imuniteti bashkëpuntoren e tij të afërt.
Një ndryshim perspektive kjo e Ramës që s’mund të kalojë pa u vënë re.
Rama implikohet vetë në dosjen e Ballukut
Në konferencën e fundvitit, i pyetur për mesazhet mes Belinda Ballukut dhe Ervis Berberit, të cilët pranojnë se ishte kryeministri që u kërkonte takime me biznesmenë përfitues tenderash, Rama zgjodhi një qasje të rrallë për politikën, duke u implikuar vetë në akuzën e SPAK për ministren.
“Që unë të kem thënë; “Tako Ramë Gecin” kjo s’ka çudi. Jam interesuar gjithmonë kur ka dashur. I kam takuar dhe përfaqësues të Kompanisë turke, “Ejani investoni në Shqipëri”. Po pastaj komentet; Fitoi tenderin pas 3 muajsh, janë si ato të Zhvejkut!”
Në dosjen për Ballukun nuk ka më shumë se kaq. Në momentin që kryeministri pranon se ka qenë pjesë e takimeve me biznesmenë që më pas kanë përfituar tendera, edhe pa qenë subjekt hetimi, ai hyn në një rreth interesi që e bën çështjen personale.
Nëse lejon arrestimin e Ballukut, Rama i hap rrugë një procesi që mund të prodhojë dëshmi të reja, emra të rinj dhe lidhje të tjera.
Një tjetër arsye për t’i thënë JO arrestimit të Ballukut.
Shqetësimi për numrin e lartë të të paraburgosurve
Prej muajsh, në media është ushqyer debati për numrin e lartë të të paraburgosurve në Shqipëri. Raporte të cituara nga ekspertë ndërkombëtarë, referenca ndaj Këshillit të Europës, analiza mbi masat e sigurisë.
Jo rastësisht, Edi Rama ka deklaruar se shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut do ta bëjë “në dritën e raportit të ekspertëve të Këshillit të Europës, edhe në dritën e raportit të Komisionit të “torturave” të Këshillit të Europës”.
Një argument juridik, i paketuar me kujdes nga propaganda që paralajmëron rrëzimin e SPAK në parlament.
Pyetja që ngrihet në këtë rast është e thjeshtë: Kur e kuptoi mazhoranca shtimin e numrit të të paraburgosurve, përderisa Rama e nxiti publikisht arrestimin e Sali Berishës, Ilir Metës, Arben Ahmetajt, Lefter Kokës, Ilir Beqajt, Alqi Bllakos etj.
Partia Socialiste nuk ka shpallur ende një qëndrim zyrtar për votën në Parlament. Rama ka thënë se do të japë një përgjigje të qartë dhe të denjtë kur të jetë koha e duhur. Por narrativa e tij tregon se diçka e ka kuptuar: Eshtë e lehtë të flasësh për drejtësi të pavarur kur ajo troket në derën e tjetrit, por e vështirë kur troket në zyrën ngjitur me tënden./Lapsi.al




