Rama: Balluku ma dorëzoi tre herë dorëheqjen, por ia refuzova

0
0

Kryeministri Edi Rama, ka mbledhur sot grupin parlamentar të PS-së, ku parashtroi projektligjin e ri që parashikon ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, sipas të cilit kryeministri si dhe 6 subjekte të tjera duhet të përjashtohen nga masa e pezullimit nga detyra.

Ai zbuloi se zv.kryeministrja ka kërkuar tre herë të largohet, por është refuzuar nga vetë Rama derisa të bindet për ligjshmërinë e kërkesës së GJKKO dhe SPAK.

“Rasti konkret s’lidhet me pezullimin, është në një tjetër proces. Belinda Balluku më ka dorëzuar tre herë dorëheqjen. I kam atje në dosje. Njëherë kur iu ngrit akuza, kur iu bë pezullimi i pare dhe herën e tretë kur Gjykata Kushtetuese, nuk mori vendim. Të tre herët jam unë që e kam refuzuar”, tha Rama.

Rama theksoi se jo vetëm gjyqësori është i pavarur, por edhe ekzekutivi dhe legjislativi. Kryeministri vuri në dukje se “ne jemi të pavarur në të drejtën tona për të marrë vendime”, duke shtuar “se s’ka prokuror dhe gjykatës që t’i vërë në diskutim!”

“Ajo që e bën skandaloz, të pajustifikueshëm dhe të papranueshëm, pezullimin nga një prokuror dhe një gjykatës për një anëtar të kabinetit qeveritar, është fakti se pezullimi nuk cenon personin, por cenon funksionin. Nuk pezullohet vetëm vajtja në punë e ministrit, por pezullohet puna e institucionit. Nuk mjaftoi fakti që s’ekziston asnjë rast i vetëm në Europë ku të jetë pezulluar një anëtar qeverie nga një prokuror dhe gjykatës.

S’mjaftoi fakti që s’ka ndodhur asnjë rast i vetëm të sistemeve dhe vendeve demokratike për t’i dhënë drejtim këtij procesi. Merret një vendim i bazuar në arsye politike dhe në nevojat e brendshme për të mbajtur ekuilibrat politik. Mosvendimi bën që çdonjëra nga ato figura që u përmendën në relacion të jetë vunerabël ndaj pezullimit dhe kufiri ndarës mes pushteteve të jetë si ato gardhet ku hyjnë e dalin qentë e minjtë.

Ne këtë s’mund ta lejojmë. Vendosja e këtij kufiri është shumë e rëndësishme për të përcaktuar një ndarje tjetër që s’ekziston në mendjen e shumëkujt, pse vetëm pushteti gjyqësor është i pavarur?! Jo, Kushtetuta e thotë ndryshe, ka 3 pushtete të pavarura, përveç gjyqësorit, edhe ekzekutivi dhe legjislativi. Ne jemi të pavarur në të drejtën tona për të marrë vendime, janë vendime sovrane dhe s’ka prokuror dhe gjykatës që t’i vërë në diskutim!”, tha Rama.

Rama vuri në dukje se nisma e PS-së nuk ka lidhje me rastin konkret të Belinda Ballukut.

Zjarr Tv Ad