Situata në vendin e quajtur “Arrat e Gurrës”, në zonën e Dragostunjës, përgjatë aksit kombëtar Librazhd–Prrenjas, ka marrë përmasa alarmante, duke çuar në bllokimin e plotë të segmentit dhe duke ngritur pikëpyetje të forta mbi cilësinë e investimeve rrugore.
Autoritetet rrugore kanë njoftuar se segmenti problematik do të qëndrojë i mbyllur për një afat të pacaktuar, ndërsa ura në këtë zonë rrezikon seriozisht shembjen. Poshtë saj betoni po thërrmohet, çka tregon një degradim të avancuar të strukturës mbajtëse dhe rrezik real për kolaps.
ARRSH njofton se po merren masat e nevojshme për të ndërtuar një bypass provizor, ndërsa u bën thirrje drejtuesve të shmangin këtë aks dhe të përdorin rrugë alternative.
“Do të ndalohet qarkullimi i të gjitha mjeteve në këtë segment. Ndërkohë nga ana e ARRSH po merren masat e nevojshme për të ndërtuar menjëherë një bypass provizor për sigurinë e qytetarëve dhe mjeteve.
U bëjmë thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin këtë aks, ndërkohë që përdoruesit e autoveturave të përdorin rrugën alternative Maliq-Lozhan- Moglic-Gramsh- Elbasan deri në stabilizimin e plotë të situatës.
Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë përdoruesve të rrugës. Çdo masë e marrë ka si qëllim të vetëm garantimin e sigurisë së jetës dhe parandalimin e incidenteve të mundshme”, njofton ARRSH.




