Pasi Gjykata Administrative rrëzoi kërkesën e saj për pezullimin e ministres Diella, aktorja Anila Bisha ka paralajmëruar se kjo çështje do të përfundojë në Strasburg.
Bisha theksoi se nëse ajo nuk arrin të fitojë me drejtësinë shqiptare atëherë ajo do e vazhdojë padinë e saj më tutje, deri në Gjykatën e Strasburgut.
Reagimi i aktores Bisha: Ky është vendimi i gjykatave shqiptare! Mua më përdorën të drejtat personale për ministre pa asnjë kontratë dhe gjykata këtë nuk e merr fare parasysh. Por unë do të vazhdoj padinë time më tej. Nëse nuk ja dal me gjykatat tona, absolutisht çështjen do e çoj në Strasburg!
Gjykata Administrative e Tiranës rrëzoi ditën e sotme kërkesën për sigurimin e padisë së ngritur nga aktorja Anila Bisha ndaj ministres së Shtetit për Inteligjencën Artificiale, Diella.
Përmes kërkesës së saj, aktorja kërkonte një dëmshpërblim prej 1 milion euro për prishje imazhi dhe pezullimin e ministres Diella.
Aktorja e Teatrit Kombëtar, pretendon se imazhi dhe zëri i saj janë përshtatur pa miratim, për avatarin qeveritar ‘Diellën’.
Në lidhje me këtë hap ajo bëri kërkesën në Gjykatën Administrative, ku kërkoi që të dhënat e saj personale të mos përdoren më.




