Kryeministri Edi Rama ka ndryshuar pasditen e kësaj të enjte (26 shkurt 2026) kabinetin qeveritar, duke larguar nga postet tre prej ministrave të tij të besuar, Belinda Balluku, Elisa Spiropali dhe Pirro Vëngu.
Sipas ndryshimeve të bëra publike, Balluku do të zëvendësohet nga Albana Koçiu në postin e zv.kryeministres, ndërsa portofoli i ministrit të Infrastrukturës dhe Energjetikës do të kontrollohet nga Enea Karakaçi, një vartës i Ballukut dhe së fundmi drejtor i OSHEE.
Po ashtu, Elisa Spiropali është larguar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe në vend të saj është vendosur Ferit Hoxha, ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB.
Gjithashtu dhe Piro Vengu është larguar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes dhe postin e tij do e marrë Ermal Nufi, zv.sekretar i Përgjithshëm në Këshillin e Ministrave.
Ndryshimet e plota në qeveri
- Zv.kryeministre, Albana Koçiu– shkarkohet Belinda Balluku
- Ministër i Brendshëm, Besfort Lamallari– zëvendëson Albana Koçiun
- Ministër Drejtësie, Toni Gogu– zëvendëson Besfort Lamallarin
- Ministër Energjitke, Enea Karakaçi– shkarkohet Belinda Balluku
- Ministër i Mbrojtjes, Ermal Nufi– shkarkohet Pirro Vëngu
- Ministër për Marrëdhënien me Parlamentin, Erjona Ismaili– zëvendëson Toni Gogun
- Ministër i Jashtëm, Ferit Hoxha – Shkarkohet Elisa Spiropali
Ky riorganizim i qeverisë, vjen në një moment kur Rama po përballet me presion politik të shtuar, brenda vendit dhe nga partnerët ndërkombëtarë, për të adresuar çështje të sundimit të ligjit, veçanërisht pas pezullimit nga detyra të Ballukut nga GJKKO.
Autoritetet evropiane theksuan sërish ditën e sotme rëndësinë e luftës ndaj korrupsionit si një nga kushtet kryesore në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Eurodeputeti Andrey Kovatchev, ishte ai i cili përmendi sot “çështjen Balluku” duke thënë se hetimet nga SPAK duhet të vazhdojnë të pacenuara dhe se kërkesa për heqjen e imunitetit duhet të marrë një përgjigje pa vonesë nga Kuvendi.
“Lufta kundër korrupsionit duhet të japë rezultate edhe më konkrete. Institucione si SPAK duhet të veprojnë të pavarur dhe në mënyrë efeciente, të lira nga presioni politik. Hetimet që janë në vijim, përfshirë atë të Zv. Kryeministres duhet të vazhdojnë pa asnjë ndërhyrje. Zbatimi i ligjit nuk mund të jetë selektiv. Shqyrtimi i kërkesës për heqjen e imuniteti pa asnjë vonesë është përgjegjësi e parlamentit. Jam i shqetësuar për amandamentet në Kodin e Procedurës Penale për të mbrojtur zyrtarët nga pezullimi kur janë nën hetim”,- tha Kovatchev.
Edhe raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder, tha se në Shqipëri korrupsioni mbetet një shqetësim i madh që kërkon adresim, vecanërisht ai i nivelit të lartë.




