Friday, April 17, 2026
Ballina Aktualitet Demokratët dalin në protestë pasditen e sotme, PD kërkon largimin e Ramës

Demokratët dalin në protestë pasditen e sotme, PD kërkon largimin e Ramës

0
16

Partia Demokratike mban sot protestën e radhës kombëtare para Kryeministrisë. Tubimi do të mbahet në orën 19:00 dhe Sali Berisha bën thirrje për një protestë paqësore. Kërkesat e opozitës mbeten të njëjta: largimi i qeverisë Rama dhe krijimi i një qeverie teknike.

Të djathtët akuzojnë mazhorancën se, si pasojë e korrupsionit, kanë bllokuar edhe procesin e anëtarësimit në BE. Ndërkohë, dje nuk munguan debatet në Kuvend mes palëve. Tre interpelanca nuk u zhvilluan, për shkak se kreu i mazhorancës dhe dy ministrat e tij nuk ishin të pranishëm.

Demokratët dhe socialistët në seancë diskutuan për integrimin, si një proces që ka nevojë për më shumë transparencë dhe gjithëpërfshirje.

Një ditë më parë, Policia e Tiranës bëri të ditur se ka marrë masa të posaçme për mbarëvajtjen e protestës dhe ka kërkuar nga organizatorët të shmangin çdo veprim që cenon sigurinë dhe rendin publik.

Gjithashtu, për shkak të tubimit, do të ketë kufizime të qarkullimit në disa akse kryesore të kryeqytetit.

Rrugët e bllokuara:

Nga ora 15:00 e datës 17 prill deri në përfundim të protestës, do të bllokohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Ndërkohë, që nga mbrëmja e kaluar, është ndaluar parkimi dhe qarkullimi në segmentin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” nga “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”, deri në përfundim të tubimit.

Zjarr Tv Ad