Friday, April 17, 2026
Ballina Aktualitet Motivet/ Pse do përplasen në gjykatë Berisha me Ramën

Motivet/ Pse do përplasen në gjykatë Berisha me Ramën

0
19

“Të bëhet burrë dhe të vijë të përballet në gjykatë“, kështu ka deklaruar Sali Berisha duke dalë nga oborri i kuvendit, një ditë pasi Gjykata e posatshme miratoi kërkesën e avokatëve të vet mbrojtës që Edi Rama të thirrej si një nga dëshmitarët e dosjes “Partizani`në procesin kundër tij. Një ditë më parë, ndryshe nga SPAK që pati hezituar ta pyesë Ramën për odisenë e shndërrimit të një terreni sportiv në truall ndërtimi, gjykata vendosi të pranojë kërkesën që edhe ai të dëgjohet për të zbardhur këtë [ështje.

“Do jemi ballëpërballë dhe thojini të bëhet burrë, të mos kërkojë seancë pa media, por të kërkojë mediat aty dhe të vijnë të shohin shqiptarët se cili është Edi Rama në atë aferë dhe çfarë aktesh korruptive ka kryer ai duke ndryshuar destinacion, pa asnjë kërkesë nga pronarët”, tha Berisha këtë të enjte para gazetarëve.

Por, për të kuptuar këtë duel të pritshëm para GJKKO-së duhet ditur disi backgroundi i kësaj historie që daton plot dy dekada më parë.

Kur SPAK nxori në publik dosjen me 500 faqe, me anë të së cilës ai argumentonte se përse Berisha duhej marrë i pandehur, e akuzontre atë se pati shfrytëzuar pozitën e kryeministrit për të favorizuar dhëndërin e tij, Jamarbër Malltezi, duke e hequr nga lista e terreneve sportive truallin ku ky i fundit ishte një nga pronarët. “Sapo Berisha erdhi në pushtet, pronarët me në krye Jamarber Malltezin u organizuan dhe aplikuan menjëherë për privatizimi e Kompleksi Partizani që ishte ndërtuar mbi tokën e 5 familjeve, një nga të cilat familja Begeja, për të cilën dhëndri i Kryeministrit është një nga trashëgimtarët”, pretendon akuza, që prek edhe pikën kryesore për të cilën do përplasen Rama me Berishën, atë të nxjerrjes nga lista e objekteve sportive. Aty thuhet se se me vendimin e firmosur nga Sali Berisha në postin e kryetarit KKRTSH më 21 Nëntor 2006 u miratua ndryshimi i planit rregullues të Qytetit të Tiranës ku përfshihej dhe zona në Rrugën “Frosina Plaku”, e cila ndryshohet nga “zonë sportive” në “zonë banimi”.

Por e vërteta qëndron pak më ndryshe sipas avokatëve të Berishës. Ata e pranojnë vendimin e nëntorit 2006, por këmbëngulin se atij i ka paraprirë një tjetër vendim ai i ish kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama. Ata thonë se qe Këshilli Bashkiak i Ramës ai që e ndryshoi sëpari destinacionin, madje pa pritur ende një kërkesë nga pronarët. Ata shtojnë se Rama veproi urgjent, vetëm për tre javë, ndërsa në zyrën e Berishës si shef i këshillit kombëtar të territorit dosja u vonua shtatë muaj. Ata këmbëngulin se njësoj si me klubin Partizani Berisha ka vepruar me të gjitha ndryshimet që i vinin nga Bashkia Tiranë, që pas një vendimi të Gjkykatës Kushtetuese për mbikalimin e Zogut të Zi, që e obligonte pushtetin qëndror të njihte pavarësinë e atij lokal. 

Të gjitha këto argumenta ishin sfumuar në aktakuzën e SPAK, ku për më tepër, ndonëse përmendej vendimi i Bashkisë Tiranë, Edi Rama nuk ishte guxuar të përmendjej as me emër. Aty thuhej thjeshtë se “me vendimin nr. 132, dt. 08.06.2006 të Kryetarit të Këshillit të Rregullimit të Territorit, nga Bashkia Tiranë, u vendos që të ndryshojë destinacioni, duke e kthyer në zonë banimi”, territorin që i përkiste klubit sportiv “Partizani”.

Për të gjitha këto SPAK as nuk e thirri ta marrë në pyetje Edi Ramës, ashtu si^ka hezituar ta bëjë këtë edhe për dosje me të nxehta si ato të inceneratorëve, koncesioneve në shëndetësi etj.

Fakti se Rama megjithëse protagonist, as nuk përmendej as nuk u thirr për të dëshmuar u kthye në kalin e betejës së Berishës ndaj hetimit të njëanshëm që po zhvillonte prokuroria speciale. Mbrojtja e tij mëshoi në këtë pikë duke ngritur shumë dyshime në integritetin e prokurorëve.

Por me sa duket atë që nuk e bëri dot SPAK vendosi ta bëjë GJKKO. Ajo i dha të drejtë kërkesave të Berishës dhe Malltezit duke i pranuar atyre kërkesën që Edi Rama të pyetet si dëshmitar në sallën e gjyqit, duke i dhënë kështu liderit të opzitës mundësinë për ti hedhur rivalit të tij dorashkën: “ të kërkojë mediat aty dhe të vijnë të shohin shqiptarët se cili është Edi Rama në atë aferë“.

Dosja ‘Partizani’ pjesë e së cilës është edhe ky episod kaloi për gjykim më 19 maj 2025. SPAK ka ngritur akuzat e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha. Dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion, por edhe për pastrim parash.

Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

©Lapsi.al

Zjarr Tv Ad