Aktori i humorit, Florjan Binaj i cili së fundmi shpalli kandidaturën e tij të pavarur për të marrë në dorë frenat e Bashkisë Tiranë, ka zbuluar gjendjen aktuale të Liqenit të Tiranës, uji i të cilit është ndotur nga ujërat e zeza dhe mbetjet e betonit nga ndërtimet e shumta që janë bërë gjatë viteve të fundit.
Përmes një postimi të bërë në faqen e tij zyrtare në Instagram, Binaj publikoi pamjet e liqenit artificial të Tiranës nga lart për të cilin shkruan se është kthyer në një vendngrumbullim të ujërave të zeza nga mbindërtimet e viteve të fundit.
“Kjo pamje nga lart e liqenit Artificial të Tiranës, tregon më së miri shkatërrimin e një baseni ujor kaq të madh dhe kthimin e tij në një vëndgrumbullim të ujrave të zeza nga mbindërtimi i viteve të fundit ku të gjitha pallatet shkarkojnë në liqen” shkroi Binaj në postimin e tij.
Më tej personazhi i njohur për shqiptarët, shkroi se për këtë situatë nuk është e nevojshme që të jesh i specializuar në fushën e mjekësisë që të kuptosh pasojat e rënda që gjendja e liqenit të Tiranës shkakton te njerëzit duke nënvizuar se mund të përhapen lehtësisht infeksionet dhe sëmundjet.
“Nuk ka nevojë të jesh as biolog dhe as mjek për të kuptuar që nuk ka asgjë të shëndetshme tek ngjyra që ka marrë liqeni, i cili me rritjen e temperaturave, do jetë ushqyesi më i madh i përhapjes së infeksioneve dhe sëmundjeve…madje edhe lumi Lana që të gjithë e dimë si është, ka disa vënde që nuk janë kaq të ndotura” shtoi më tej aktori.
Në përmbyllje të reagimit të tij Binaj nënvizoi se duhet reaguar menjëherë për këtë situatë e cila prek shëndetin e të gjithë qytetarëve, që nga fëmijët e deri te të moshuarit.
“Kjo filozofia e verbër “s’na gjen gjë nga shkatërrimi i natyrës” duhet të marrë fund sa më shpejt sepse po e paguajmë padrejtësisht me shëndetin dhe jetën tonë dhe të fëmijëve tanë, e nëse nuk ju dhimbsen as fëmijët, mos prisni t’ju quajnë njerëz” përmbylli reagimin e tij Florjan Binaj.




