Shkolla “Demokracia” ka reaguar me një status të dhimbshëm pas aksidentit tragjik të së dielës në Durrës, ku dy nxënës të saj humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur.
Në reagim, shkolla njofton me dhimbje të thellë për vdekjen e dy të miturve, duke theksuar se ata janë ndarë nga jeta në mënyrë të padrejtë dhe të parakohshme. Në mesazh thuhet se kjo është një humbje e rëndë jo vetëm për familjet, por edhe për gjithë komunitetin shkollor dhe për të gjithë ata që i kanë njohur.
Po ashtu u shprehen ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve, duke theksuar se fjalët janë të pamjaftueshme për të përshkruar dhimbjen.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për humbjen tragjike të dy nxënësve të mitur, të cilët u ndanë nga jeta në mënyrë të padrejtë dhe të parakohshme. Kjo është një humbje e rëndë jo vetëm për familjet e tyre, por për gjithë komunitetin, shkollën dhe këdo që pati fatin t’i njihte. Në këto momente të vështira, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve. Fjalët janë të pakta për të përshkruar dhimbjen, por lutemi që të gjeni forcë për ta përballuar këtë tragjedi të madhe. Kujtimi i tyre do të mbetet gjithmonë i gjallë në zemrat tona. U prehshin në paqe”, thuhet në mesazhin e postuar në faqen zyrtare të shkollës.




