Monday, May 4, 2026
Ballina Aktualitet Tragjedia në Durrës, zv.kryeministrja Koçiu merr pjesë në homazhet për dy të...

Tragjedia në Durrës, zv.kryeministrja Koçiu merr pjesë në homazhet për dy të miturit: Duhet të garantojmë standarde më të larta sigurie

0
12

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ishte këtë të hënë pranë dy familjeve në Durrës, që humbën fëmijët e tyre në mënyrë tragjike gjatë një aksidenti që ndodhi ditën e djeshme. Në një postim në rrjetet sociale, Koçiu u shpreh se kjo është një dhimbje që nuk shpjegohet e ngushëllohet dot, dhe se gjithçka mbetet është t’u qëndrohet pranë familjarëve të të miturve që humbën jetën.

“Në këtë ditë të rëndë që ka tronditur çdo familje shqiptare, ndava nga afër dhimbjen me familjet që humbën engjëjt e tyre.

Është një dhimbje që nuk shpjegohet, nuk ngushëllohet e nuk kalon me asnjë fjalë apo përpjekje njerëzore. Kur jeta këputet në lulëzimin e saj më të pafajshëm, çdo ngushëllim është i vogël dhe i pafuqishëm.

Prindërit mbajnë mbi supe një peshë që asnjë zemër nuk duhet ta njohë. E vetmja gjë që mbetet është të qëndrojmë pranë tyre dhe të lutemi që të gjejnë forcë për të jetuar me këtë plagë që do të mbetet gjithmonë e hapur.“, tha Koçiu.

Më tej ajo shton se ky rast i rëndë thekson nevojën pët t’ju bindur rregullave dhe ligjit dhe për të kërkuar e garantuar standarde më të larta sigurie:

Kjo tragjedi është një thirrje e dhimbshme që na përball me nevojën e domosdoshme për më shumë përgjegjësi, për respekt të palëkundur ndaj rregullave, standardeve dhe ligjit, por mbi të gjitha për një ndërgjegje më të lartë njerëzore. Është detyra jonë e përbashkët të kërkojmë dhe të garantojmë standarde të larta sigurie në çdo hapësirë, duke mos lejuar asnjë neglizhencë me pasoja të parikuperueshme për jetën.

U prehshin në paqe engjëjt e vegjël. Drita e tyre u bëftë forcë për prindërit në këtë rrugëtim të pafundmë dhimbjeje“, shton më tej zv.kryeministrja.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme, pranë familjeve që kanë hapur dyert e mortit ka shkuar për ngushëllim edhe nënkryetarja e Kuvendit Klodiana Spahiu.

Spahiu ka vizituar të dy familjet, të cilat gjendet pranë njëra-tjetrës. Pritet që gjatë ditës të shkojnë edhe zyrtarë të tjerë në nivel lokal dhe qendror.

Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 14:10, në rrugën “Ohri”, në lagjen nr. 15 të qytetit bregdetar.

Nga pamjet e kamerave të sigurisë duket qartë se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin dhe, pasi ka goditur fëmijët, ndalet vetëm pasi përplaset me një makinë të parkuar para një lokali. Fëmijët kanë qenë duke luajtur anës rrugës, e cila duhet theksuar se ishte një rrugë dytësore brenda lagjes dhe jo aks rrugor kryesor.

Drejtuesi i mjetit me inicialet N.R. ka qenë në gjendje të dehur dhe po ecte me shpejtësi të madhe.

Zjarr Tv Ad