Këtë të premte, 8 maj, në Gjykatën Administrative do të shqyrtohet padia e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj ndaj prokurorit të SPAK, Ols Dado. Për këtë të fundit, Veliaj thotë se është emëruar në kundërshtim me ligjin.
Ndryshe nga hera e fundit, Veliaj është prezent sot në sallë, ndërsa gjyqin po e ndjekin edhe aktorët Robert Ndrenika e Gazmend Paja. Këta të fundit mbështesin kreun e bashkisë Tiranë.
Pa nisur seanca, Ndrenika e puth në ballë Veliajn, ndërsa nuk mungon buzëqeshja e kryebashkiakut.
Avokati i kryebashkiakut, Plarent Ndreca, ka kërkuar që seanca të jetë publike. Mbetet për t’u parë nëse seanca do të vijojë të transmetohet LIVE, pasi mbrojtja e Dados ka kundërshtuar. Gjykata është tërhequr për vendim…
Sipas avokatit Plarent Ndreca, nga vetë zhvillimi i procesit gjyqësor dhe provat e administruara deri tani, rezulton se Presidenti i Republikës, në momentin e dekretimit të Ols Dados si prokuror, nuk ka kryer verifikime reale mbi plotësimin e kushteve ligjore për emërimin e tij.
Kujtojmë se më 3 prill, për rreth 1 orë u mbajt seanca gjyqësore pikërisht për këtë padi.
Presidenca përfaqësohej nga Sara Bërdullima, ndërsa përfaqësuese e KLP-së ishte Danja Hobdari. Ndërkohë, mungoi avokatura e shtetit. Pati një sërë diskutimesh në këtë seancë përgatitore për palët, megjithatë togat e zeza kërkuan që padia të rregullohet, duke dhënë afat 20 ditë.




