Akademiku Artan Fuga ka komentuar situatën politike të Erion Veliajt në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN, duke e cilësuar kryebashkiakun e Tiranës si një figurë të braktisur nga partia dhe njerëzit e afërt.
Nga ana tjetër Fuga vëren brenda kësaj fatkeqësie një trajtim të privilegjuar nga polici në seancën gjyqësore. Akademiku thotë se situata që zbulon një çast dramatik nga jeta e Veliajt të kujton sakrificat e ish-funksionarëve të komunizmit për partinë.
“Nga njëra anë kemi një personazh të hedhur tej nga partia e tij, edhe nga shokët dhe miqtë e tij, dhe nga ana tjetër, brenda kësaj fatkeqësie ka një trajtim të privilegjuar në seancën gjyqësore nga polici. Duket sikur, shiko ne të kemi futur aty, por ti je përsëri shoku jonë, je miku ynë”, u shpreh Fuga.
“Kjo situatë dramatike që unë e kam studiuar dhe në kohën e komunizmit, që ti po sakrifikohesh për partinë, të dënojmë por s’kemi çfarë të bëjmë, kjo m’u duk një moment që zbulon një çast dramatik nga jeta e Erion Veliajt, të cilën ai me përgjegjësinë e vet duhet ta menaxhojë”, tha ndër të tjera akademiku.




