Tuesday, May 26, 2026
Ballina Aktualitet Nesër Kurban Bajrami, kreu i KMSH: Kjo festë na fton të reflektojmë...

Nesër Kurban Bajrami, kreu i KMSH: Kjo festë na fton të reflektojmë më shumë për njëri-tjetrin!

0
11

Kryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu, ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke përcjellë mesazhe paqeje, mirësie, solidariteti dhe harmonie.

“Kurban Bajrami është një ndër festat më të rëndësishme të besimit islam. Është festa e sakrificës, e bindjes ndaj Zotit, solidaritetit dhe dashurisë ndaj njeriut. Ajo na rikujton shembullin e Profetit Ibrahim, i cili tregoi besim, durim dhe përkushtim ndaj Krijuesit”, shprehet Spahiu.

Sipas kreut të Komunitetit Mysliman, mesazhi i kësaj feste mbetet një thirrje e fuqishme për forcimin e moralit, përgjegjësisë dhe humanizmit në jetën e përditshme.

“Feja jonë ndërtohet mbi paqen, respektin dhe vlerat njerëzore universale. Kjo festë na fton të reflektojmë më shumë për njëri-tjetrin, të jemi më pranë familjeve, të moshuarve dhe njerëzve në nevojë, jetimëve dhe çdo zemër që ka nevojë për shpresë”, theksoi Spahiu.

Ai nënvizoi se Kurbani përfaqëson solidaritetin, ndarjen dhe kujdesin për tjetrin, sidomos në një kohë kur bota përballet me sfida dhe konflikte të shumta.

“Kemi nevojë më shumë se kurrë për mirëkuptim, dialog, respekt dhe bashkim mes njerëzve. Shoqëria jonë ka nevojë për më shumë dashuri dhe shpresë.”, thotë ai.

Bujar Spahiu vlerësoi harmoninë fetare në Shqipëri si një pasuri të çmuar që duhet ruajtur dhe forcuar çdo ditë.

“Uroj që kjo festë të sjellë gëzim në çdo vatër shqiptare dhe mirësi për të gjithë shoqërinë tonë. Gëzuar Kurban Bajramin!”, përfundon urimi i tij.

Falja e Kurban Bajramit do të zhvillohet ditën e mërkurë, (27 maj), në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Sipas programit zyrtar, aktiviteti do të nisë në orën 06:00 me hapjen e programit, për të vijuar me lexim Kurani nga Hafiz Enes Hyka në orën 06:05. Më pas, në orën 06:10, besimtarët do të përshëndeten nga Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu, ndërsa në orën 06:20 do të mbahet një ligjëratë nga Nënkryetari i KMSH-së, Taulant Bica.

Falja e namazit të Bajramit do të kryhet në orën 06:30, nën drejtimin e Kryetarit të KMSH-së, ndërsa hutbeja e Bajramit do të mbahet në orën 06:35 nga Myftiu i Tiranës, Bilal Teqja.

Zjarr Tv Ad