Një bankë e nivelit të dytë është vjedhur sot në 2 qershor tek Komuna e Parisit në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Gjin Bue Shpata”.
Siç bën me dije gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj, një person është futur në bankë dhe i ka marrë një shumë parash një qytetari, që po i depozitonte.
Autori ka shkuar tek banka me skuter nga kryqëzimi i Komunës së Parisit, ka lënë skuterin jashtë dhe ka hyrë menjëherë në ambientet e bankës.
Pasi ka marrë paratë është larguar nëpërmjet rrugës “Sulejman Delvina” dhe dyshohet se ka braktisur skuterin në një garazh. Më pas dyshohet se është larguar drejt zonës së bllokut.
Policia e Tiranës me anë të një njoftimi zyrtar shprehet se një person i maskuar dyshohet se me armë ka marrë një shumë parash nga institucioni financiar.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë ngritur pika kontrolli dhe janë orientuar të gjitha shërbimet policore, për identifikimin dhe kapjen e autorit.
“Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 12:26, në rrugën “Gjin Bue Shpata”, një shtetas i maskuar ka hyrë në ambientet e një banke dhe, dyshohet se në kërcënimin e një sendi në dukje armë, ka marrë një shumë parash.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë ngritur pika kontrolli dhe janë orientuar të gjitha shërbimet policore, për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorit dhe dokumentimin e rastit”, njofton policia.




