Thursday, July 9, 2026
aaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaa
Ballina Aktualitet “Reuters”: Qeveria shqiptare e akuzuar për korrupsion, jep 4 mln € për...

“Reuters”: Qeveria shqiptare e akuzuar për korrupsion, jep 4 mln € për koncertin e Kanye West

0
10

Deklaratat e kryeministrit Edi Rama për një financim prej 4 mln euro për koncertin e Kanye West kanë tërhequr vëmendjen e mediave botërore.

Agjencia e lajmeve “Reuters” shkruan se kryeministri ‘Edi Rama mbrojti vendimin e qeverisë për të shpenzuar një shumë të tillë parash, ndërsa përpiqet të zbusë reagimet e forta publike dhe zemërimin që ka shtuar protestat dhe kërkesat për dorëheqjen e tij’.

Reuters thekson se Kanye West është ndaluar të performojë në disa vende evropiane këtë verë pas deklaratave të tij, të cilat kanë përfshirë lavdërime për Adolf Hitlerin dhe përdorimin e simboleve naziste.

Koncerti, i planifikuar për më 11 korrik në periferi të Tiranës, pritet të zhvillohet në një stadium të përkohshëm të ndërtuar posaçërisht për këtë aktivitet.

Në një postim në Facebook, Rama deklaroi se fondi prej 4 milionë eurosh u miratua në momentet e fundit për të shmangur, sipas tij, dëmtimin e imazhit të Shqipërisë.

“Ne akorduam 4 milionë euro në minutën e fundit për të shmangur turpërimin e Shqipërisë përballë afro 25 mijë vizitorëve nga 80 vende të botës, të cilët kishin blerë tashmë biletat për koncertin e Kanye West, ndërsa shumë të tjerë kishin frikë se ai mund të anulohej”, citohet Rama nga Reuters.

Sipas kryeministrit, eventi pritet t’i sjellë ekonomisë shqiptare të paktën 100 milionë euro të ardhura, falë rritjes së rezervimeve në hotele dhe aktiviteteve turistike gjatë ditëve të koncertit.

Megjithatë, deklaratat e tij kanë shkaktuar reagime të shumta kritike në rrjetet sociale. Një komentues shkroi se “Shqipëria turpërohet kur mirëpret një këngëtar që admiron Hitlerin”, ndërsa një tjetër reagoi: “Turp, jo me paratë e mia!”.

Reuters kujton se në Tiranë protestat qytetare kanë vazhduar çdo ditë për më shumë se një muaj. Fillimisht ato nisën kundër planeve për ndërtimin e një resorti luksoz të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.

Më pas, protestat u zgjeruan duke kundërshtuar edhe projekte të tjera turistike pranë zonave të mbrojtura bregdetare, ndërsa protestuesit kërkojnë edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar qeverinë për korrupsion.

Zjarr Tv Ad