Saturday, July 11, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet Satira e Agron Gjekmarkajt: Këto ditë të trazuara kryeministri i ka kaluar...

Satira e Agron Gjekmarkajt: Këto ditë të trazuara kryeministri i ka kaluar duke bërë plane qysh të shpëtojë vatanin

0
7
Zjarr Televizion Adccccc

Nga Agron Gjekmarkaj

Halle, halle kjo dynja, halli hallit nuk i ngja! Qerrata i madh ky populli ynë, mendonte Festimi teksa zhytej në kanape!

Gjithë këto ditë të trazuara ai i ka kaluar duke bërë plane të holla qysh të shpëtojë vatanin nga rrëmuja e nga rremeti, si njeri i ardhur për punë të mëdha!

Ndonjëherë i vjen keq që ka lindur në Koplik, po ajo mërzi e braktis shpejt, se gjindja, duke i njohur bëmat, e di nga York-u, Vandeja apo Bavaria!

Ai edhe emrin e ka bërë me të drejtë, Le Festim de Gozhà, që të lirohet nga tisi i përzhitur i provincializmit! Gjithnjë ka menduar që Shqipëria ka nevojë për të, për mendjen e rafinuar qamet, për stilin dhe look-un prej dendi, për fjalën e parfumuar me dije të epërme!

Në zyrë herët shkon dhe kafeja hyn bashkë me të, ajo para, ai pas!

E pi atë të shkretë dhe sheh me gëzim lajmet, numëron gazetat e televizionet e huaja që flasin keq për Babon dhe zemra i bëhet mal! Ato shtohen çdo ditë!

E pat dhe ky që desh të më hiqte dhe më quante leshterik, se çoku më konsideronte budalla asokohe por gjeni i dola tani !

Shyqyr po vjen dita t’ia shpërblej edhe Ditmarit, që më mbajti në 2013, ta marr si zëvendëskryeministër, meqenëse vetë do bëhem Kryeministër në vjeshtë! Që në 1912 nja 28 vjet e kanë pasur gegët – na takon!

Ditët janë të gjata. Ambasadorët hyjnë një nga një. Shpesh e gjejnë Feston të përhumbur në ëndërrime! Asaj të frengut i hapi zemrën. I tha: “E kam pritur këtë ditë. Duhet ta marr këtë përgjegjësi. Ju me keni tuajin!

Ja, në samitin e Ankarasë Babon e lanë vetëm. Sa m’u dhimbs, se të gjithë thërrisnin: ‘Le Festim! Le Festim! Le Festim!’ Unë u bëja me shenjë që të ngjatetonin  atë, po hiç ata, si për inat, vazhdonin: ‘Le Festim’ këtu, ‘Le Festim’ atje!

Madje Erdogani ma bëri: ‘Mashallah, dukesh turk i vërtetë, veç një tanuz të mungon ! Me thënë të drejtën, aty buzëqesha, po nuk më erdhi mirë, se në origjinën e kemi nga Vandeja!”

Një dilemë e ka Festi : t’i lejojë që tani ta thërrasin z. Kryeministër, apo në vjeshtë, kur të kryesojë qeverinë tranzitore?

Gjatë pauzave, kur mbetet vetëm, mbyll sytë e bind veten: nuk duhet hezituar, duhet bërë kjo për Shqipërinë, meqenëse po ma kërkojnë të gjithë!

Lajmet që i sjell zonja e dashur nga Brukseli janë të mbara! Të gjithë po presin që Babua të lërë çelësat në dorë të tij dhe të bëhet def nga sytë!

Ja edhe “New York Times”, ja dhe “Le Monde” kanë bërë helaq Babon dhe i bëhet zemra mal! Bereqet bereqet psheretin.

Ndërkohë ka porositur një skulptor të bëjë monumentin e një flamingoje, që ta vërë në vend të kërpudhës te Kryeministria!

Paskëtaj hyn një tjetër ambasador: “Ah, aaah, mon chéri, Le Festim!”, i cili e këshillon të presë pak, mos t’i shfaqë kështu toptan ambiciet, se Babo të degdis ambasador në UNESCO se ënde vulos fermane.

Po ai e siguron që kjo punë ka marrë udhë, se nuk e ndal dot as Briseda Bakërri me Ardit Bidon as Kidi me Saren !

Orët janë të gjata, por mejtimet i bëjnë ato të dashura!

Festua mbyll sytë dhe imagjinon Taon me kapuç-turban, si kuzhinier në akçihanen e shërbimeve qeveritare, që grin sallam për të e pret feta të holla proshute, ku tinëz rras herë pas here ndonjë në gojë, se i thahet; e ka neps që nga fëmijëria në Librazhd!

Për Klosin e ka më të lartë e të ngjyrosur mendimin dhe e do me xhaketë të bardhë e papion, si kamerier, lepe-peqe t’i vijë me temena e tabaka, i duket natyrë e shtruar qe e mban me  qejf çdo samar !

Këto banalitetet e mediokritetet që çuan popullin në protestë, ç’janë këto si Karakaçer, Nufra, Lameqyqe, atë të bujqësisë e shëndetësisë se nuk më kujtohet emri, do t’i bëj sikter me një firmë!

Ndoshta Sofjan Lozonjarin dhe Ervin Demon i lë si përfaqësues të minorancave! Për Tezen nuk jam krejt i vendosur, tha me vete, se po jep shenja të mira!

Në festën e Ambasadës Amerikane në fillim i kishte ndenjur rëndë Ditmarit, i kishte thyer zemrën, po më pas i ishte afruar nga pas duke i thënë: “Mos e kthe kokën, bëj sikur nuk më sheh, po vazhdo, mbahu, jemi me ty, se Babua në shtator 4-5 nga ne do t’i dorëzojë vetë në hapsana; për dhjamë qeni do na shpjerë. Ndaj ky reflektim më ka bërë të mendoj! E ka thënë Termeja me gojë që ajo ia ka me hile Babos sa të vijë ditë e keqe!”

Shije të mirë i kishte lënë edhe Ulësia, i cili, sapo u hapën llafe që ndërkombëtarët po lobojnë që Festimi të bëhet Kryeministër, i kishte shkuar në zyrë, kinse për të biseduar për afrim ligjesh me BE-në, dhe aty i kishte shprehur admirim që një aristokrat si ti, i dlirur nga veset, i duhej atdheut për t’i vënë melhem mbi plagët që i kanë hapur këta!

Muzgu i vjen më melankolik. I del përpara Kostaqi me sytë e njomur, që duket sikur i thotë: “14 vjet rehat të Babos nuk bëhen hasha, more i paudhë, vinim nga xhehnemi  na çoi në xhenet  “ pastaj lotët si kristal të butë e të qashter  të Etildës, në të cilët duket sikur mbytet, trishtimi i Ogit si horizont i mbyllur , mjekrra e ndukur e Dilos e trazojnë!

Të qarat me dënesë të Evisit, Antonetës dhe ulërimat e Zeniqes e trembin pak!

Me këtë Mamicën nuk di ç’të bëjë. E sheh me xhelozi: ta mbajë afër apo ta largojë, ende s’e ka zgjidhur! Kush hyn në belara edhe me atë Nallbanë e Devollit se me gisht në çark mbeti dhe ay i ziu apo me Rutten që do të fuse botën në luftë nga ndezullia !

Gjithsesi, fati ndihmon guximtarët dhe Festimi e ka ndarë mendjen! Ditë të mira po vinë per Kroniken !

Zjarr Tv Ad