Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë këtë të mërkurë, në një deklaratë për mediat, njoftoi se është miratuar në parim projektvendimi për marrëveshjen e sigurimeve shoqërore me Slloveninë.
Ministrja theksoi se vitet e kontributeve të sigurimeve shoqërore do të njihen edhe nga Sllovenia, sipas marrëveshjes së re. Ibrahimaj bëri me dije gjithashtu se po negociohen edhe për katër marrëveshje të tjera, njëra prej tyre me Slloveninë.
“Ministria e Ekonomisë sot kaloi një projekt vendim, një miratim në parim i marrëveshjes për sigurimet shoqërore me Slloveninë, duke e çuar në 17 numrin e marrëveshjeve të nënshkruar me Republikën e Shqipërisë ku bashkë me marrëveshjen me Slloveninë janë 11 marrëveshje të cilat janë firmosur me vendet e Bashkimit Evropian.
Janë 4 marrëveshje të tjera duke u negociuar. Unë dua të kujtoj këtu që kjo është një politikë e cila prej disa vitesh tashmë ka filluar dhe është intensifikuar nga ana e qeverisë shqiptare, pasi është thelbësore në mbrojtjen e të drejtave të punës dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe pagesave që çdo individ mund të marrë në të ardhmen pasi ka kryer disa vite pune në Republikën e Shqipërisë dhe disa vite pune në një vend tjetër. Ka qenë një problem i cili ndër vite është mbartur”, u shpreh ajo.






