Zebervoki ka reaguar lidhur me largimin e tij nga Policia e Shtetit, duke sqaruar se vendimi nuk kishte lidhje me zhvillimet politike apo situatën aktuale në vend.
I ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ai tha se largimi ishte një zgjedhje personale, e lidhur me dëshirën për t’i kushtuar më shumë kohë projekteve të tij.
“Unë mora një vendim që nuk kishte të bënte fare me situatën që po ndodh në Shqipëri. Ishte diçka që lidhej me një zgjedhje timen dhe me dëshirën për t’u fokusuar te projektet e mia”, u shpreh Zebervoki.
Ai tregoi se pas njoftimit për largimin e tij, në media u publikuan tituj ku cilësohej si “hero i popullit”, por tha se nuk ndihej mirë me këtë perceptim.
“Pasi bëra statusin, më kishin dedikuar tituj, ‘heroi i popullit’ e të tjera. Kjo nuk më pëlqeu, sepse isha i qartë në statusin tim se pse e mora atë vendim”, deklaroi ai.
Zebervoki theksoi se arsyeja e vërtetë e largimit do të mbetet private dhe se në të ardhmen dëshiron të fokusohet te projektet artistike.
“Vendimin tim publiku nuk do ta marrë vesh, dua ta mbaj për vete. Nga unë në vazhdim do të bëj publike vetëm projektet artistike, nuk dua të bëhem pjesë e titujve të tillë”, tha ai.
Ai shtoi se nuk e ka ndjerë veten pjesë të kauzave apo interpretimeve që iu dhanë largimit të tij nga policia.






