Emërimi i Gentian Koçit si anëtar i Komisionit të Apelimit në Partinë Demokratike ka vënë në lëvizje një investigim të redaksisë sonë mbi aktivitetin e tij profesional, lidhjet e mëparshme dhe elementë të tjerë me interes publik.
Sipas informacioneve që po verifikohen nga redaksia, Koçi, me profesion arkitekt, ka bashkëpunuar në të kaluarën me ish-nënkryetaren e Bashkisë së Fierit, Adela Hysenaj. Gjithashtu, po verifikohen edhe marrëdhëniet profesionale me studion e arkitekturës të lidhur me familjarë të saj, për të sqaruar natyrën dhe shtrirjen e këtij bashkëpunimi.
Çdo e dhënë do të publikohet vetëm mbi bazën e dokumenteve dhe provave të verifikuara. Paralelisht, redaksia po administron dokumentacion që lidhet me situatën financiare të Gentian Koçit, përfshirë informacione mbi detyrime të mundshme ndaj institucioneve bankare.
Këto të dhëna janë në proces verifikimi dhe do të publikohen vetëm pasi të konfirmohen nga dokumentacioni zyrtar. Një tjetër drejtim i investigimit lidhet me formimin e tij arsimor dhe kualifikimet profesionale. Për këtë arsye janë depozituar dhe do të depozitohen kërkesa zyrtare pranë institucioneve përgjegjëse, me qëllim verifikimin e plotë të të dhënave.
Redaksia do t’i japë Gentian Koçit mundësinë të shprehë qëndrimin e tij për secilin prej këtyre elementëve përpara publikimit të çdo gjetjeje, në respekt të parimit të balancës dhe të drejtës së përgjigjes. Ky është vetëm episodi i parë i këtij investigimi.
Në ditët në vijim do të publikohen dokumente, përgjigje zyrtare dhe fakte të verifikuara që do t’u japin qytetarëve një panoramë të plotë mbi figurën e Gentian Koçit dhe aktivitetin e tij profesional.






