Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, doli në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së sotme të qeverisë, ku njoftoi një sërë vendimesh në fushën e shëndetësisë.
Ajo bëri të ditur se qeveria ka miratuar ngritjen e Institutit të Tumoreve, i cili do të ketë një buxhet të dedikuar edhe për kërkimin shkencor, ndërsa paralajmëroi edhe ndryshime në programin e check-up-it, duke hequr kufirin e sipërm të moshës për përfitimin e këtij shërbimi.
“Kemi marrë sot vendim për ngritjen e Institutit të Tumoreve. Përveç buxheti të alokuar si pjesë e QSUT, ka edhe një buxhet shtesë për pjesën kërkimore dhe shkencore. Gjithashtu ky institut do të aplikojë edhe për fonde ndërkombëtare, për barna dhe teknologji të avancuar.
Hiqet tavani i moshës për check-up dhe çdo qytetar nga 35 vjeç e lart mund të marrin këtë shërbim lirisht. Ky është një hap shumë i rëndësishëm për parandalimin e sëmundjeve. Gjithashtu, ky shërbim, bashkë me dializën, merren në kontroll dhe ofrohen nga vetë shteti”, u shpreh Sala mes të tjerash,
Ajo bëri të ditur gjithashtu se shërbimet e Check-Up dhe dializës do të kalojnë në administrimin e shtetit dhe do të ofrohen drejtpërdrejt nga institucionet publike.
“Dy vendimet e tjera, njëri prej tyre në fushën e parandalimit. Këto vendime sjellin 2 rusi, hiqet tavani moshor për shërbimin e Check-Up. Çdo qytetar nga mosha 35 vjeç e sipër i ofrohet falas. Për herë të parë, qytetarët mbi moshën 70 vjeç do t’i ofrohet nga shtatori shërbimi i Check-Up. Gjithashtu shërbimi i Check-Up dhe dializës merren në dorëzim dhe ofrohen nga shteti”, bëri me dije Ministrja.
Sala njoftoi se Shqipëria do të krijojë për herë të parë një Institut Kombëtar të Tumoreve, të ndërtuar sipas modeleve më të mira europiane, me referencë Institutin Kombëtar të Tumoreve të Milanos. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, pas mbledhjes së Qeverisë.
Sipas saj, instituti do të funksionojë mbi tre shtylla kryesore: shërbimin klinik, mësimdhënien dhe kërkimin shkencor.
Fusha klinike do të përfshijë shërbimet e kirurgjisë onkologjike, kimioterapisë dhe radioterapisë, ndërsa në kuadër të institutit do të krijohet edhe një njësi e posaçme për studimet klinike, e para e këtij lloji në vend.
Ministrja theksoi se kjo do t’u japë pacientëve shqiptarë mundësinë të marrin pjesë në studime klinike ndërkombëtare, duke siguruar akses në trajtime dhe barna inovative.
“Shqipëria për herë të parë do të ketë një Institut Kombëtar të tomotreve, sipas modeleve europiane, kemi marrë si model Institutin kombëtar të tumoreve të Milanos. Do të ketë 3 fusha veprimi, fushën klinike, që përfshinë shërbimet e kirurgjisë së tumoreve, kimioterapisë dhe radioterapisë, fushën e mësimdhënies dhe fushën kërkimore shkencore, e para e këtij lloji në Shqipëri. Brenda kësaj fushe do të ngrihet njësia e studimeve klinike dhe kjo ka një rëndësi të veçantë sepse mundëson që pacientët shqiptarë të bëhen pjesë e studimeve klinike ndërkombëtare, akses në barna norvatore, në studime inovatore”, tha Sala.
Një tjetër përfitim, sipas saj, është se Instituti Kombëtar i Tumoreve do të bëhet pjesë e organizatës europiane të qendrave shkencore onkologjike, çka do t’i mundësojë Shqipërisë të përfitojë fonde europiane për kërkim, teknologji dhe zhvillimin e barnave të reja.
“Sjell një risi të dytë sepse duke qenë se instituti do të jetë pjesë e organizatës europiane të qendrave shkencore onkologjike, do të përfitojmë fonde europiane për inovacion si në barna dhe teknologji”, theksoi ajo.






