Zbardhet dëshmia e 29-vjeçarit S. V., autor i vrasjes së turistit 20-vjeçar Luis Miguel Varela Mendes ditën e djeshme në ambientet e jashtme të lokalit “Paradise” në Ksamil.
S. V., ka treguar përpara togave të zeza versionin e tij të ngjarjes nga nisja e konfliktit e deri te vrasja, për të cilën tha se ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes. Autori, i cili ishte i punësuar si truprojë te “Principota”, sqaron se konflikti ka nisur brenda ambienteve të lokalit mes disa turistëve që ishin nën efektin e alkoolit. Atyre u është kërkuar të mbajnë qetësi, por sherri ka degraduar në përplasje fizike.
S. V., ka deklaruar se thika me të cilën është qëlluar për vdekje turisti portugez, nuk ishte e tij, por e 20-vjeçarit. Ai ia ka marrë nga dora dhe e ka goditur për vdekje në një tjetër ambient në distancë nga lokali. Vetë autori i është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore për shkak se ka shenja goditje në trup.
Në pamjet e kamerave të sigurisë duken vetëm momentet e para të sherrit dhe, për shkak të njerëzve që vrapojnë, nuk dallohet qartë. Ndërsa momenti i goditjes me thikë të 20-vjeçarit nuk është filmuar nga kamerat, për shkak se është distancë e largët dhe errësirë.
I riu nga Portugalia kishte ardhur së bashku me disa miq të tij prej gati një jave në Shqipëri. Ende në polici nuk janë paraqitur familjarë të 21-vjeçarit për të bërë tërheqjen e trupit. Fillimisht u raportua se konflikti kishte nisur për një vajzë, por kjo pistë mbetet të konfirmohet nga grupi hetimor.






