Mediat ndërkombëtare vijojnë t’i kushtojnë vëmendje lëvizjeve të reja qytetare dhe protestave të të rinjve në Shqipëri dhe më gjerë në rajonin e Ballkanit.
Gazeta franceze ‘L’Humanite’ shkruan se nga Serbia në Shqipëri, rinia e Ballkanit po ngrihet kundër regjimeve autokratike në rajon.
Gazeta thekson se një valë e re protestash po përshkon Ballkanin, me të rinjtë në qendër të mobilizimeve kundër mënyrës së qeverisjes dhe asaj që ata e konsiderojnë si përqendrim të tepruar të pushtetit.
Nga Serbia në Shqipëri, protestat po shfaqin një karakter të përbashkët: një brez i ri që nuk dëshiron të pranojë më automatikisht mënyrën tradicionale të ushtrimit të pushtetit në rajon.
Në Serbi, mobilizimi i të rinjve ka marrë përmasa të mëdha dhe është shoqëruar me kërkesa për përgjegjësi politike, transparencë dhe ndryshim institucional. Protestuesit kanë sfiduar drejtpërdrejt pushtetin e Aleksandër Vuçiç dhe kanë kërkuar që institucionet të japin llogari për çështje që kanë shkaktuar zemërim të gjerë publik.
Në Shqipëri, ndërkohë, protestat kundër qeverisë së Edi Ramës kanë vijuar me kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit.
Mobilizimi i vazhdueshëm tregon se pakënaqësia nuk kufizohet vetëm te një episod i veçantë, por lidhet me një debat më të gjerë mbi mënyrën se si funksionon pushteti dhe demokracia në vend.
Ajo që i bashkon këto zhvillime është roli i brezit të ri.
Të rinjtë e Ballkanit po përdorin rrjetet sociale, organizimin horizontal dhe protestën në rrugë për të krijuar forma të reja presioni politik, shpesh jashtë strukturave tradicionale të partive.






