Tuesday, August 25, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet I plagosuri eci 40 minuta në këmbë me plumbin në shpatull, si...

I plagosuri eci 40 minuta në këmbë me plumbin në shpatull, si ndodhi atentati në Dukagjin

0
12

Për afro 40 minuta, Lazër Bashi ka ecur i plagosur në terrenin e thepisur të Dukagjinit, me një plumb në shpatull dhe duke humbur gjak. Pas tij kishte mbetur një skenë e përgjakshme: Prelë dhe Lekë Gjoni, babë e bir, të vrarë në automjet pas një breshërie armësh.

Sipas të dhënave të bëra të ditura për ngjarjen, Bashi ndodhej në pjesën e pasme të fuoristradës kur ndaj saj u hap zjarr. Ai është shtrirë në automjet në përpjekje për t’u mbrojtur dhe ka arritur të mbijetojë, por është goditur në shpatull.

Kur të shtënat pushuan, ai nuk doli menjëherë nga makina. Priti disa minuta, më pas u përpoq të kërkonte ndihmë me telefon, por në vendin ku ndodhi sulmi nuk kishte sinjal.

Me plagën që i rridhte gjak, Bashi la automjetin dhe u nis në këmbë. Për rreth 40 minuta përshkoi afro dy kilometra, derisa arriti pranë një lokali, në zonën ku takohen rruga e Pultit me atë të Shoshit.

Vetëm aty arriti të kapte sinjal. Telefonoi një të afërm dhe, sipas dëshmisë së tij, fjalët e para ishin: “Na thavi krahin.”

Më pas ai tregoi se kishte qenë rastësisht në të njëjtin automjet me Prelë dhe Lekë Gjonin dhe se dy burrat kishin mbetur të vrarë në vend.

Gjatë rrugës për të kërkuar ndihmë, i plagosuri ndaloi edhe pranë një çezme, ku pastroi plagën dhe gjakun. Më pas u transportua drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës dhe, për shkak të gjendjes së tij dhe humbjes së gjakut, u dërgua për trajtim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Bëhet e ditur se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Hetimet në vendngjarje kanë evidentuar një sulm me intensitet të lartë. Sipas të dhënave paraprake, autorët kanë përdorur dy armë zjarri, një kallashnikov dhe një MP5, ndërsa në drejtim të fuoristradës dyshohet se janë qëlluar mbi 50 plumba.

Prelë dhe Lekë Gjoni po udhëtonin drejt Shkodrës, pasi kishin qenë në banesën e tyre të vjetër në Dukagjin, ku mbanin edhe disa koshere bletësh. Ata u zunë në pritë në rrugën e Xhanit.

Policia dhe Prokuroria e Shkodrës vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të atentatit. Disa persona janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje, ndërsa deri tani nuk ka një autor të identifikuar zyrtarisht.

Për hetuesit mbeten për t’u përcaktuar motivi i sulmit, mënyra e organizimit të pritës dhe personat që qëndrojnë pas ekzekutimit të babë e bir.

Zjarr Tv Ad